Kosova
I dërguari i BE, Sorensen: Kompromiset në dialogun Kosovë-Serbi i përcaktojnë palët
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, Peter Sorensen, ka thënë se prioritet për të do të jetë të sigurojë takime mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, janë vetë palët që pastaj do të vendosin për kompromise potenciale.
“Dialogu është për t’u siguruar që të ketë takime. Se a do të thotë kjo kompromise apo jo, u takon palëve për ta përcaktuar”, tha Sorensen, gjatë deklarimit për media, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.
Takimi i fundit në Bruksel i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, mes Kosovës dhe Serbisë, ishte zhvilluar më 17 dhjetor të vitit të kaluar.
Sorensen po e viziton Kosovën për herë të parë prej se e mori detyrën në fillim të shkurtit, për t’u takuar me zyrtarë të lartë të vendit.
Ai e quajti takimin me Kurtin “fillim të mirë”.
“Ishte një takim prezantues, folëm për atë se si mund të vazhdojë procesi përpara. Është një fillim i mirë”, tha Sorensen.
“Sapo t’i kem bërë këto biseda [me përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë], mund të ulem dhe të vlerësoj se ku jemi. Por, është shumë e qartë që procesi i dialogut mban në vete edhe një numër të madh të zhvillimeve të rëndësishme dhe duhet të merremi edhe me to”, shtoi Sorensen.
Më herët, Sorensen zhvilloi takim edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Pas takimit, Osmani tha se ka kërkuar nga Bashkimi Evropian (BE) të trajtojë Kosovën në mënyrë “të barabartë” në dialogun e Brukselit.
Në një postim në Facebook, Osmani tha pas takimit se Kosova “është dëshmuar tashmë si pala konstruktive në dialog, e angazhuar për paqe, demokraci e sundim të ligjit”
“Prandaj mbajtja e masave të padrejta të BE-së ndaj vendit tonë po i dëmton jo vetëm qytetarët tanë por edhe balansin e nevojshëm në dialog”, tha Osmani.
Blloku evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit. BE-ja pati vlerësuar se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë mjaftueshëm për shtensionim.
Sorensen ende nuk e ka ndërmjetësuar ndonjë takim të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, por ka punuar kohëve të fundit për mënyrat për ta çuar përpara dialogun, duke takuar ndaras zyrtarë nga të dyja vendet.
Ai e mori detyrën më 1 shkurt, duke e pasuar Mirosllav Lajçakun.
Në takimin e fundit në Bruksel nën ndërmjetësimin e Lajçakut, më 17 dhjetor, Kosova dhe Serbia u pajtuan për zbatimin e plotë të deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur.
Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian (BE), Kaja Kallas, tha muajin e kaluar se po dëgjonte kritika rreth formatit të deritashëm të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Ajo paralajmëroi se, së bashku me Sorensenin, po shqyrtonte mundësinë për ta bërë funksional dialogun mes dy vendeve fqinje.
Kosova dhe Serbia dialogojnë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian që nga viti 2011. Në vitet e fundit, dialogu është zhvilluar në nivel të lartë, mes liderëve të dy vendeve, dhe në nivel kryenegociatorësh.
Gjatë mandatit gati pesëvjeçar të të dërguarit të kaluar të bllokut, Mirosllav Lajçakut, në fillim të vitit 2023 Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Marrëveshja, e cila nuk është nënshkruar, është ligjërisht e detyrueshme për palët, ka thënë blloku, i cili i ka akuzuar Kosovën dhe Serbinë për mosnisjen e zbatimit të paktit.
Në të kaluarën, liderë të Kosovës, nisur nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani e deri të kryeministri Albin Kurti, e kanë kritikuar Lajçakun për qasje të pabalancuar në dialog dhe për rreshtim me raste kah Serbia.
Nuk është e qartë se kur mund ta mbajë takimin e parë Sorensen në kuadër të dialogut, duke qenë se Kosova mbajti zgjedhje më 9 shkurt dhe pritet ta formojë qeverinë e re, ndërsa Serbia përballet me paqartësi politike midis protestash të mëdha të studentëve.
Kallas tha në shkurt se po priste derisa Kosova të formojë qeveri të re, për të “parë se si të vazhdojmë tutje”.
Sorensen, për dallim nga paraardhësi i tij, do të merret vetëm me dialogun ndërmjet dy vendeve fqinje, e jo edhe me çështje rajonale të Ballkanit.
Emërimi i Sorensenit është parë si pozitiv, duke qenë se 57-vjeçari e njeh rajonin. Diplomat prej shumë vitesh, ai ishte angazhuar në Kosovë, në kuadër të Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK), si dhe në role tjera, në Serbi, Maqedoni të Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinë.
Sipas njohësve të politikës, ai nuk ka nevojë që të informohet paraprakisht për njerëzit apo faktet historike të rajonit, sepse tashmë ka pasur mundësinë ta krijojë një pasqyrë nga afër.
Një tjetër argument që është përmendur si pozitiv nga zyrtarët në Prishtinë është se ai është nga Danimarka, vend që njeh shtetësinë e Kosovës, dhe se do të ketë qasje të barabartë në dialog./ REL
Kosova
“Tageszeitung” e Berlinit: “Shumë njerëz në mbarë Evropën Juglindore dëshirojnë personalitete si Kurti si politikanë në vendet e tyre”
Nuk kanë kaluar as pak muaj që kur Albin Kurti vizitoi Sarajevën, kryeqytetin e Bosnjë-Hercegovinës.
Kryeministri i Kosovës mori duartrokitje të stuhishme nga politikanë e publicistë, nga antifashistë e punëtorë ndërtimi, nga gra e burra që ndodheshin rastësisht në atë ndërtesë. Kurti ka karizëm dhe është i besueshëm. Këtë e ndjenë njerëzit në sallë atëherë, dhe këtë e treguan edhe të dielën, kur Kosova e rizgjodhi Kurtin me 50 për qind të votave.
Gjithkush në atë sallë në Sarajevë e dinte se Albin Kurti, që kur ishte student në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës, ishte pjesë e rezistencës me mjete paqësore kundër pushtimit serb; se ai dergjej në burgjet serbe që nga viti 1998 dhe se më në fund, në vitin 2000, pas luftës së Kosovës, mundi të kthehej në atdheun e tij. Serbët, deri para pak kohësh, donin të pengonin çdo kontakt mes shoqërisë boshnjake dhe asaj kosovare. Të dyja shoqëritë pësuan më së shumti gjatë luftërave të Jugosllavisë (1991-2001) nga sulmet e forcave ushtarake serbe; miliona njerëz u dëbuan atëherë dhe dhjetëra mijëra u vranë. Ky fat i bashkon ata.
Njësoj i bashkon edhe vetëdija se shoqëritë e përcaktuara mbi baza etnike çojnë vetëm në konflikte të mëtejshme. Bosnja, para 30 vitesh, u nda në zona etnike me ndihmën e rusëve, SHBA-së dhe gjithashtu Evropës; këtë gjë Kurti dëshiron ta shmangë me çdo kusht në Kosovë. Ai angazhohet për një shoqëri multietnike, duke qëndruar kështu pas kushtetutës së vendosur nga OKB-ja. Të drejtat e pakicave janë të garantuara, siç e dëshmojnë enklava e Graçanicës dhe zona të tjera. Por Serbia kërkon të imponojë ndarjen etnike në Kosovë dhe kështu provokon vazhdimisht konflikte, të cilat pastaj i faturohen Kurtit.
Por njerëzit në Kosovë i besojnë atij dhe qeverisë së tij; Kurti nuk është një „nacionalist i majtë“. Nuk është për t’u habitur që shumë njerëz në mbarë Evropën Juglindore dëshirojnë personalitete si Kurti si politikanë në vendet e tyre. /REL
Kosova
Këta janë 10 kandidatët më të votuar në Vetëvendosjes
Komisioni Qendror Zgjedhor po vazhdon me numërimin e votave për kandidatët për deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Ndërsa, numërimi i votave të kandidatëve për deputetë ka shkuar mbi 10 për qind, kurse rezultatet preliminare për dhjetë kandidatët më të votuar të Vetëvendosjes deri në orën 18:25 janë këto:
Albin Kurti me 37,026 vota,
Glauk Konjufca me 28,972 vota,
Hekuran Murati me 15,143 vota,
Albulena Haxhiu me 14,823 vota,
Donika Gërvalla me 13,016 vota,
Xhelal Sveçla me 11,922 vota,
Hajrulla Çeku me me 10,682 vota,
Avni Dehari me 9,709 vota,
Mimoza Kusari me 9,050 vota
Ejup Maqedonci me 8,493 vota.
Pas procesimit të rezulateve preliminare në platformën e KQZ-së, LVV ka fituar 49.30% të votave.
Në bazë të këtyre rezultateve, LVV siguron 56 mandate(pa votat e diasporës dhe ato me kusht)./REL
Diaspora
Kryetari shqiptar i komunës së Morbachut bëhet viral në Gjermani
Kryetari i komunës së Morbachut në landin Rheinland-Pfalz të Gjermanisë, Arianit Besiri, me prejardhje nga Mitrovica, është shndërruar së fundmi në një nga figurat më të komentuara në rrjetet sociale dhe media gjermane, falë mënyrës së veçantë të komunikimit dhe afrimit me qytetarët e komunës që ai drejton.
Besiri, i cili u zgjodh kryetar komune si kandidat i SPD-së me 60.2 për qind të votave, po vlerësohet gjerësisht për qasjen e tij të drejtpërdrejtë, të hapur dhe njerëzore ndaj banorëve. Ai shihet shpesh në terren, në biseda të drejtpërdrejta me qytetarët, pa formalizma të tepruara, gjë që ka ndikuar dukshëm në rritjen e besimit dhe simpatinë ndaj tij.
Në video dhe intervista të shpërndara në rrjete sociale, banorë të Morbachut kanë folur me fjalë shumë pozitive për kryetarin e tyre. Giovanni Tatoli, nxënës, ka theksuar se Besiri është shumë i afërt me të rinjtë dhe i qasshëm në çdo moment. Po ashtu, edhe Rokkea Alabudalla, nxënëse, ka vlerësuar komunikimin e hapur dhe mënyrën miqësore me të cilën kryetari i komunës i dëgjon qytetarët.
Vlerësime të ngjashme kanë dhënë edhe banore të tjera të komunës, si Sonja Kummerer, Manuela Fritsch dhe Marita Fritsch, të cilat e kanë përshkruar Besirin si një kryetar komune shumë të afërt me njerëzit, plot energji, shpeshherë edhe me humor, por mbi të gjitha si një drejtues që po bën një punë të mirë dhe të ndershme për komunitetin lokal.
Kjo qasje e tij ka bërë që Arianit Besiri të përmendet gjithnjë e më shumë si shembull pozitiv i integrimit dhe suksesit, jo vetëm për komunitetin shqiptar në Gjermani, por edhe më gjerë. Për shumë banorë të Morbachut, ai përfaqëson një model modern të udhëheqjes lokale, të bazuar në dialog, transparencë dhe afërsi me qytetarin./Albinfo.ch.
-
Albania21 hours agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
UK20 hours agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania3 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Sports20 hours agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK3 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania21 hours agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
Albania2 days agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
UK1 day agoPrinci William dhe Kate Middleton vendosën vijë sigurie 9.6km rreth rezidencës së tyre të re, reagojnë banorët e zonës: Masa të tepruara dhe pa konsultim
