Plani i kryeministrit britanik, Keir Starmer për një forcë ndërkombëtare për të mbështetur një armëpushim në Ukrainë është hedhur poshtë si “një qëndrim dhe një pozë” nga i dërguari special i Donald Trump.
Steve Witkoff tha se ideja bazohej në një nocion “të thjeshtuar” të kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar dhe liderëve të tjerë evropianë që mendonin se ” të gjithë duhet të jemi si Winston Churchill”.
Në një intervistë me gazetarin, Tucker Carlson, Witkoff vlerësoi Vladimir Putinin, duke thënë se i pëlqente presidenti rus.
“Unë nuk e konsideroj Putinin si një djalë të keq,” tha ai. “Ai është super i zgjuar.”
Witkoff, i cili u takua me Putinin dhjetë ditë më parë, tha se presidenti rus kishte qenë “i mëshirshëm” dhe “i drejtpërdrejtë” me të.
“Putini ishte lutur për Trump pas atentatit kundër tij vitin e kaluar gjatë fushatës elektorale. Ai kishte porositur një portret të presidentit amerikan si dhuratë dhe Trump ishte qartë i prekur nga ai”, tregon zyrtari amerikan.
Gjatë intervistës, Witkoff përsëriti argumente të ndryshme ruse, duke përfshirë se Ukraina ishte “një vend i rremë” dhe pyeti se kur bota do ta njihte territorin e pushtuar ukrainas si rus.
Witkoff po udhëheq negociatat e armëpushimit të SHBA me Rusinë dhe Ukrainën, por ai nuk ishte në gjendje të emërtonte pesë rajonet e Ukrainës ose të aneksuara ose pjesërisht të pushtuara nga forcat ruse.
“Çështja më e madhe në atë konflikt janë këto të ashtuquajtura katër rajone, Donbas, Krime, ju i dini emrat dhe janë dy të tjera”, u shpreh Witkoff.