Luisi Meçe, mori 4 plagë të rënda nga përleshja mes dy 14-vjeçarëve, ku humbi jetën miku i tij Martin Cani. I riu, i cili po mbronte shokun e tij gjatë përleshjes, u plagos rëndë, por falë ndërhyrjes së shpejtë të mjekëve, ai arriti të shpëtonte dhe tani është jashtë rrezikut për jetën.
Edhe pse ende po trajtohet në spital, futbollistët e skuadrës së Dinamos, kanë befasuar Luisin me një vizitë në spital.
Egert Bakalli, trajneri i Dinamo U-15, bashkë me lojtarët e skuadrës, i bënë një surprizë në spital Luis Meçen, i cili mori 4 plagë gjatë sherrit me thika pranë shkollës “Fan Noli”.
Vdekja e 14-vjeçarit Martin Cani, pas një sherri banale jashtë shkollës, ka tronditur gjithashtu opinionin publik. Përplasja mes të rinjve, që kishte shpërthyer fillimisht në rrjetet sociale, degjeneroi më pas në përdorimin e thikës dhe përfundoi në tragjedi.
Ngjarja ka ndodhur në mesditën e të hënës, kur një konflikt mes nxënësve të shkollës “Fan Noli” dhe një grupi të rinjsh nga një tjetër shkollë në Sauk, kulmoi me tragjedinë.
Konflikti mes të rinjve filloi në rrjetet sociale dhe u zhvendos në afërsi të shkollës “Fan Noli”, ku ishin nxënës edhe viktima, edhe shoku i tij.