Oficeri 26-vjeçar Ivan Simoroz nga Borodyanka, afër Kievit ka treguar për BBC News tragjedinë më të madhe të jetës së tij.
“Më 26 Shkurt, ne po bisedonim në stacionin e policisë dhe më pas dëgjuam një bum të fortë. Toka po dridhej, fillova të thërras secilin nga të afërmit e mi, gruan, vëllain, nënën, babanë, gjyshen. Kam kuptuar se diçka e keqe kishte ndodhur.”
Ivan kishte dëgjuar bombardimet dhe e dinte se diçka ishte sulmuar, por nuk ia kishte idenë se çfarë. Ai u nis me makinë me shefin e policisë dhe disa kolegë në shtëpinë e tij në rrugën Tsentralna dhe para syve të tij iu shfaq shtëpia e rrënuar.
“Tmerr. Luftë. Ishte shumë e frikshme dhe e vështirë për t’u kuptuar. Shpresoje se dikush ishte ende gjallë, ndoshta ata ishin fshehur në bodrum”, tregon ai.
Fqinjët dhe të afërmit mbërritën shpejt për ta ndihmuar në kërkimin e njerëzve të tij të dashur.
Ivani e gjeti nënën e tij së pari, të shtrirë të vdekur afër frigoriferit. Më pas, 200 metra larg ai gjeti trupin e vëllait të tij më të vogël. Ai kishte humbur të dy këmbët dhe duart. Pastaj gjeti gjyshen e tij të vdekur, të mbuluar me tulla. Tezja e Ivanit gjeti vajzën e tij njëvjeçare, Polina, në një divan, ende duke marrë frymë. Pastaj u gjet gruaja e Ivanit. Pastaj babai i tij. Të dy të vdekur. Fatkeqësisht, Polina e vogël vdiq në spital pak më vonë.
Atë ditë, Ivan humbi gjashtë anëtarë të familjes së tij. Shtëpia e Ivanit ishte e para që u godit në Borodyanka dhe më pas qyteti do të bëhej një nga vendet më të bombarduara në këtë luftë.