I jepet lamtumira Bashkim Koplikut, e bija: E vrau neglizhenca e shtetit, mungonte oksigjeni

albnews
By
3 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Dy ditë më parë ndërroi jetë, pasi ishte infektuar me Covid, në moshën 77 vjeçare ish-zëvendës Kryeministri i parë i pluralizmit në Shqipëri, Bashkim Kopliku.

Ai ishte një ndër liderët e parë antikomunistë në Shqipëri.

Ditën e sotme është përcjellë për në banesën e fundit.

Familjarë, miq, të afërm dhe personalitete shqiptare i kanë dhënë lamtumirën e fundit në një ceremoni të mbajtur në ambient të hapur në qytetin e tij, Durrësin. Homazhet në nder të Koplikut, i cili njihet nga të gjithë qytetarët durrsakë për kontributin e tij të çmuar, u mbajt në sheshin ‘Liria’ në Bashkinë e Durrësit.

Vajza e tij, që gjithashtu u prek nga COVID-19 teksa ka falënderuar të pranishmit nuk e ka mbajtur dot veten duke shpërthyer në lot.
“E pabesueshme për të gjithë. Për ju ishte Bashkim Kopliku për mua ishte im atë. Sa i drejtë që ishte, sa shumë bënte për gjithë njerëzit”, tha ajo.

Kopliku ka qenë deputet tre herë në Kuvendin e Shqipërisë, Kryetar i Komitetit të I° pluralist në verën e largët të vitit 1991, Zv/Kryeministër, Ministër i brendshëm në qeverinë e parë demokratike, Ministër i ekonomisë dhe kryetar i komisionit të ekonomisë në Kuvendin e Shqipërisë.

Luljeta Kopliku, bashkëshortja e Koplikut, gjithashtu rezulton pozitive me Covid, ka qëndruar në banesë. Ajo mes dhimbjesh tregon se nuk e di çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Ajo pohoi se Kopliku ishte shtruar në spitalin e Durrësit, ndërkohë që fëmijët kishin insistuar që ai të nisej për kurim në Breshia të Italisë. Pasi kishin porositur një charter, Luljeta Kopliku rrëfeu se mjeti i fluturimit ishte vonuar për të mbërritur në Rinas nga Turqia, ndërsa shton se dhe ambulanca kishte ardhur me vonesë në spitalin e Durrësit.

Sipas saj gjendja e 77-vjeçarit ishte e qëndrueshme, por për shkak se COVID i kishte prekur mushkëritë, kishte nevojë për oksigjen. Teksa rrëfen më tej ngjarjen, gruaja e Koplikut pohoi se ambulanca që e kishte transportuar drejt Rinasit (Në orën 16:00) nuk kishte pasur mjaftueshëm oksigjen. Mes të tjerash Luljeta Kopliku tregon dhe bisedën e fundit me të shoqin, i cili i ishte ankuar se; “Nuk ngopem dot me oksigjen”. Ndërkohë që vetëm pas 30 minutash nisje për në Rinas, ajo ishte njoftuar nga personeli i avionit se Bashkim Kopliku kishte ndërruar jetë, ende pa hipur në bordin e mjetit fluturues.

Share This Article