Peshëngritësi Briken Çalja bëri krenarë gjithë shqiptarët, pasi në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020” arriti të dilte në vendin e katërt, një rezultat historik për Shqipërinë.
Por pavarësisht rezultatit të mirë, një skandal ka dalë në pah. Peshëngritësi kuqezi nuk ka qenë i shoqëruar në Tokio nga trajneri i tij Gerald Tosku. Ka qënë trajneri Leonard Toska ai që ka zbuluar këtë fakt, ku në një koment në statusin e Ministres së Sportit Evis Kushi ka denoncuar absurditetin e mos-dërgimit në Tokio të trajnerit të Calja, ndërsa në vend të tij rolin në Olimpiadë e ka kryer presidenti i FSHP-së, Elez Gjoza.
“Zonja Ministre, keqmenaxhimi i Elezit dhe i Fidelit kur këta dy zotërinj janë bërë trajnerë, është turp për shtetin shqiptar”, shkruan trajneri i skuadrës së Shtërmenit.
Prania e trajnerit është e domosdoshme për sportistin edhe nga ana psikologjike, pasi me atë është stërvitur gjatë gjithë kohës.