Një Dj nga San Diego, i cili ka kaluar jetën e tij duke u përpjekur të vizitojë çdo vend të botës, në momentin kur mbeti me vetëm një vend të njohur nga OKB-ja si alternativë për ta vizituar, vendosi të blinte një ngastër toke prej 11,07 hektarësh, për ta shpallur shtetin e tij.
“Më mbaruan vendet për të vizituar, kështu që krijova shtetin tim”, tha Randy “R Dub!” Williams në një intervistë.
“Kur nuk jam në radio, me siguri po udhëtoj në një vend për të cilin shumica nuk kanë dëgjuar”, u shpreh Williams për CNN jo shumë kohë përpara se të nisej për një udhëtim në Turkmenistan, vendi i fundit në listën e tij prej 193 shteteve të njohura nga OKB-ja.
“Një nga arsyet pse krijova Slowjamastan ishte sepse, pas 193 vendeve, doja një 194!“, shtoi ai.
Tokën e thatë e të zbrazët në shkretëtirën e Kalifornisë, ai e ka pagëzuar si Slowjamastan dhe ka shpallur veten sulltan të këtij shtetit.
I veshur me kostumin e tij më të mirë dhe syzet e diellit, sulltani i Slowjamastan shpalli zyrtarisht pavarësinë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në orën 12:26, më 1 dhjetor 2021, ndërsa transmetoi live këtë moment nga “zyra e qeverisë së tij”, në ajër të hapur në Dublândia, kryeqyteti i Republikës së Slowjamastan.
Dy vjet më vonë kur si sulltan ka prodhuar dhjetëra ligje të çuditshme, Republika ka njoftuar lëshimin e pasaportave të veta, flamurin dhe monedhat e printuara, ndërsa nuk mungon as një himn kombëtar që luhet në raste të veçanta.
Madje, Republika e Slowjamastan pretendon se tashmë ka mbi 500 qytetarë të regjistruar, ndërsa 4500 të tjerë thuhet se janë miratuar me kusht ose presin në radhë për nënshtetësinë. Tani që Williams është vendosur të përfundojë qëllimin e tij jetësor për të vizituar çdo vend në botë, ai po fton turistët të vizitojnë Republikën e Slowjamastan-it.
Shteti i vetëshpallur i Williams ndodhet jashtë rrugës 78 të shtetit të Kalifornisë, dy orë e gjysmë në veriperëndim të San Diegos. Parcela e vogël e tokës nuk është shumë më tepër se shkretëtirë, por Williams ka ngritur një tabelë të madhe ku shkruhet “Mirë se vini në Slowjamastan” buzë autostradës dhe ka ndërtuar një postë kontrolli kufitar ku ngrihet flamuri shumëngjyrësh i Slowjamastan mbi zyrën e tij ministrore, e cila aktualisht është në qiell të hapur.