Albania
I mori jetën bashkëshortes pasi e goditi me sëpatë, babai i 69-vjeçarit në Konispol kishte vrarë 3 gratë e tij
Detaje tronditëse mësohen nga krimi i dyfishtë i ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Shalës të Konispolit.
Huso Islamaj, 69 vjeç pas një konflikti të çastit vrau me sëpatë gruan e tij, Shano Islamaj, 66 vjeç.
Më pas, djali i çiftit, Klement Islamaj, 40 vjeç duke u konfliktuar me të atin e shtyu nga shkallët dhe i moshuari humbi jetën në vendin e ngjarjes.
Huso Islamaj njihej si një njeri i dhunshëm dhe problematik në fshat.
Por krimi i rëndë duket se i ka rrënjët më të thella në këtë familje. Babai i Huso Islamajt, i njohur në fshat si Xhevit Cene, është dyshuar më parë për të paktën tre vrasje.
Dhe të treja kanë qenë bashkëshortet e tij. Njërën nga bashkëshortet e ka vrarë duke e hedhur në gropë të gëlqeres, tjetrën e ka vrarë duke e hedhur në pus, ndërsa tjetrën e ka mbytur në lumë, duke e çuar në tre numrin e viktimave.
Ditën e sotme policia ka arrestuar djalin e viktimave, Klement Islamajn, teksa po verifikohen motivet e krimit të rëndë.
Hetimet po drejtohen nga Prokuroria, ku ende nuk dihet se çfarë akuze do të ngrihet për 40-vjeçarin Klementin Islamaj, nëse do të jetë akuza për vrasje me dashje apo aksidentale.
Albania
“Që kur mesazhet janë prova?”, Rama: “Shpërdorimi i detyrës” do të rishikohet
Kryeministri Edi Rama, në konferencën e fundvitit me gazetarët, tha se në 3 mandatet e Partisë Socialiste, 37 raste i përkasin hetimeve për korrupsion apo shpërdorim detyre. Këtë të fundit, Rama e cilësoi një “nocion i cili duhet të rishikohet”.
Sipas tij, SPAK “ka dhënë dënime skandaloze”, ndërsa shtoi si një problem të madh publikimin në media të dosjeve hetimore dhe shtoi se “mesazhet nuk përbëjnë prova dhe nuk mund të jenë arsyeja parësore për të nisur gjyqe”.
“Jo çdokush që hetohet dhe akuzohet nga SPAK ka bërë korrupsion. Shpërdorimi i detyrës është një vepër që iu kthye dhe vetë BE-së, sepse është një term që futet një thes i madh. Sidomos kur jeton në një periudhë kur të gjitha llojet e tenxhereve hidhen përpjetë me gjithë kapakë për burg. BE iu rikthye nocionit me kërkesë të Gjermanisë dhe të Italisë. Ka dalë një direktivë e re për ta riparë këtë nocion, për ta specifikuar. Kushtetuta thotë që janë 3 pushtete të pavarura nga njëri-tjetri. Është pavarësia për të marrë vendime. Te vendimet nuk vjen dot një prokuror të thotë pse e vendose kështu dhe e vendose ashtu. Dhe kjo gjë ka ndodhur. Nëse vendimi im është një vendim që ka një prapavijë të qëllimshme për të përfituar në mënyrë të paligjshme apo për të sjellë një dëm, këtu unë nuk jam i pavarur, këtu vjen drejtësia tek unë”, tha Rama.
“Qysh nga fillimi i këtij kapitulli të SPAK, janë 37 raste. E dini ju sa raste nga këto 37 që përfshijnë funksionarë të niveleve të ndryshme, i përkasin viteve të mandatit të parë e të mandatit të dytë? Janë rreth 80%. Ndërkohë që vetëm një pjesë e vogël e tyre janë raste që lidhen me periudhën më vonë. Në rastet që po flasim kemi nga të gjitha, kemi dënim për prerje pylli për një kryetar bashkie. Është një dënim skandaloz, kryetari i Bashkisë së Fushë-Arrëzit ka hapur një rrugë për komunitetin ku janë prerë disa pemë. Ka bërë burg për prerje pemësh. Rasti është për turp. Ka dhe raste të tjera qe nuk kanë lidhje me korrupsion që hyjnë tek këto raste. Ka dhe raste të tjera që lidhen me pabarazinë në tendera. Kjo është një vepër tjetër, nuk është korrupsion”, shtoi Rama.
“Çfarë do të thotë mesazhe, që kur mesazhet janë prova? Dhe që kur mesazhet janë ushqim për mediat? Dhe që kur mbi bazë mesazhesh bëhen gjyqe si në kohën e gjuetive të shtrigave? Patjetër që mesazhet dhe çdo gjë tjetër janë pjesë e një procesi, por parafytyroni vetëm kaq: çfarë ndodh dhe sa përgjegjës ka secili nga pjesëmarrësit në këto gjyqet e shtrigave kur dikush të dalë i pafajshëm? Për çfarë i duhet më pafajësia atij njeriu kur i është shkatërruar tërësisht jeta dhe familja? Kush ia kthen atij njeriu pas jetën? Prandaj drejtësia demokratike ka vendosur kufij, nuk lejohen shumë nga këto gjëra që ndodhin këtu. Nuk fajësoj mediat, por ata që i ushqejnë me këtë helm. Deri tani kemi një numër të dënuarish shumë të ulët në raport me rastet. Kemi çështje të zvarritura dhe Strasburgu ka evidentuar gjëra të rënda”, shtoi kryeministri.
Albania
“Kemi raketa Javelin dhe tre anije patrulluese”, Rama: Kemi sot ushtrinë më të mirëpaguar, ia kalojmë edhe Serbisë
Gjatë konferencës vjetore me gazetarët, kryeministri Edi Rama foli edhe për ushtrinë dhe sistemin mbrojtës.
Ai u shpreh se vendi ynë ka raketa Javelin dhe tre anije patrulluese.
Ndër të tjera kreu i qeverisë deklaroi se Shqipëria ka sot ushtrinë më të mirëpaguar në rajon, duke ia kaluar kështu edhe Serbisë.
“Kemi ushtrinë më të mirëpaguar në rajon, përfshi edhe Serbinë. Ambicia jonë është që ushtria jonë të arrijë në mesataren e vendeve të NATO-s sa I përket anës financiare. Ky vit na gjen me një sistem raketor Javelin, na gjen me tre anije patrulluese që I kemi dhuratë nga Italia, na gjen me radarë falë bashkëpunimit me Francën. Ajo që mbetet ambicia kryesore është Shqipëria një vend prodhues i industrisë ushtarake.
Do prodhojmë dronët luftarakë dhe sistemet antidron. Në 2026 do të shihni edhe produktet e para. Ne vazhdojmë punën për të bërë kontrata të tjera për industrinë detare dhe ajrore”, u shpreh kryeministri Rama.
Albania
“E-Albania” plotësisht jashtë funksionit!
Prej më shumë se një jave portali qeveritar e-Albania vijon të ketë probleme në ofrimin e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset.
Këto probleme vijojnë të shfaqen ku sërish vështirësitë hasen si për qytetarët për të aksesuar platformën, por edhe për bizneset.
Në një njoftim që shfaqet në faqen zyrtare të e-Albania vijon të shfaqet njoftimi: Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile gjatë ditës së sotme do të realizojë një operacion mirëmbajtjeje dhe përmirësimi të sistemit elektronik të saj. Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile do të realizojë operacione mirëmbajtjeje dhe përmirësimi të sistemit elektronik të saj. Ju informojmë se gjatë këtyre proçeseve mund të ketë ndërprerje të përkohshme apo ngadalësime në marrjen e të dhënave përmes ndërveprimit me Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile. Kërkojmë mirëkuptimin tuaj për çdo vështirësi të mundshme që mund të haset në përdorimin e shërbimeve publike online.
Pesë ditë më parë më parë Aleanca për Profesionistët e lirë e ka ngritur në tej si problem pasi bizneset nuk arrijnë të marrin shërbime apo kryejnë pagesa.
Ndërsa ka renditur problemet e hasura, Aleanca kërkon sqarime të mëtejshme.
“Këto platforma janë sot infrastruktura bazë për regjistrime, deklarime, aplikime, pagesa dhe përmbushje detyrimesh ligjore. Ndërprerja e tyre, qoftë edhe e përkohshme, krijon pasiguri juridike, vonesa procedurale, rrezik penalitetesh dhe kosto shtesë për bizneset dhe profesionistët e lirë, të cilët varen pothuajse tërësisht nga shërbimet digjitale.”
Fenomeni ngre pikëpyetje jo vetëm mbi qëndrueshmërinë teknike të sistemeve, por edhe mbi menaxhimin e riskut, kapacitetet e back-up-it, komunikimin institucional dhe mekanizmat alternativë që duhet të aktivizohen në raste të tilla.
Në këtë kontekst, vlerësojmë të domosdoshme: transparencë më të madhe mbi shkaqet e ndërprerjeve dhe kohëzgjatjen e tyre; forcimin e sigurisë, qëndrueshmërisë dhe redundancës së sistemeve digjitale; parashikimin e procedurave alternative dhe shtyrjen automatike të afateve ligjore në raste mosfunksionimi të platformave; komunikim të qartë dhe në kohë me përdoruesit, për të shmangur pasigurinë dhe keqinterpretimet”, thuhet në ankesën e tyre”.
Jo vetëm me bizneset por portali ka shfaqur vështirësi edhe për individët, si regjistrimi i fëmijëve të porsalindur në sistem si dhe aplikimet për pajisjen me mjetin e identifikimit apo rinovimet e pasaportave.
Kjo çështje kthehet në një problem këtë periudhë fundviti teksa rikthimi i emigrantëve në atdhe është i lartë dhe i shfrytëzojnë ditët e pushimit edhe për tu marrë me dokumentacione.
-
UK1 day agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania1 day agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania3 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Sports1 day agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK3 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania1 day agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
Kosova24 hours agoKëta janë 10 kandidatët më të votuar në Vetëvendosjes
-
Albania2 days agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
