Maqedonia
I njohur për ofendimet ndaj shqiptarëve, Bogojeski emërohet në krye të Agjencisë për Programe Arsimore në RMV! Shpërthen Kim Mehmeti: Shtet antishqiptar
Petar Bogojeski është emëruar në krye të Agjencisë Nacionale për Programe Evropiane dhe Mobilitet të Maqedonisë së Veriut.
Petar Bogojevski është lider i partisë “Koncepti Maqedonas” dhe para se të merrte këtë detyrë ishte këshilltar i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoskit.
Por, reagimet ndaj këtij emërimi kanë qenë të ashpra nga shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, teksa Bogojeski është kritikuar vazhdimisht për përdormine gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve në vend.
Sipas Bashkimit Demokratik për Integrim, zgjedhja e Bogojevskit është ofendim dhe nënçmim ndaj shqiptarëve.
“Emërimi i një personi i cili tërë karrierën e tij publike dhe politike e ka ndërtuar mbi fyerje dhe nënçmime ndaj shqiptarëve, paraqet një provokim të drejtpërdrejtë jo vetëm për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, por edhe për vetë idenë evropiane në vend. Veçanërisht ironike dhe tragjike është që ky individ ka qenë objekt i kallëzimeve penale pikërisht nga partitë e VLEN-it në Qeveri – dhe sot, me mbështetjen e tyre, shpërblehet me një funksion udhëheqës”, thanë nga BDI.
Sipas tyre, ky akt është një sinjal i qartë se fyerjet ndaj shqiptarëve jo vetëm që nuk sanksionohen, por edhe shpërblehen me pozita shtetërore.
“Është një mesazh i rrezikshëm se kushdo që dëshiron të ndërtojë karrierë politike, mjafton ta poshtërojë popullin shqiptar”.
Një reagim të ashpër ka bërë edhe shkrimtari Kim Mehmeti, duke hedhur akuza edhe ndah VLEN, që është pjesë e koalicionit qeverisës.

“Këto ditë Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut e ka emëruar për udhëheqës të Agjencisë për Fondet Arsimore Evropiane një njeri që shqiptarët i ka barazuar me kafshë më neveritëse që bëjnë seks me dhitë. Dhe tani do ndodh ajo që ka ndodhur gjithmonë gjatë dekadave të shkuara në raste të tilla; Kryeministri do shtiret se nuk a ka ditur, e këta paçavuret e VLENIT do lëvdohen se e kanë çuar të kërkojë falje këtë monstër me fytyrë njeriu.
Ku ta dish, mbase edhe nuk ndodh asgjë e papritur në një shtet që i paguan shtrenjtë vasalët shqiptarë, që i shërbejnë për ta mbuluar antishqiptarinë që shpërblehet dhe mbështetet institucionalisht. Pra ndodh ajo që pritet t’u ndodh atyre që ndjehen si të pa mëmëdhe, që kanë pas shpine Kosovën e Shqipërinë, por të cilat nuk e përkrahin popullin e vet, por qeverinë e këtij shteti të zgjebur.
Pra, është duke ndodhur diçka e pritshme nga një shtet ku çdo gjë është e përkohshme përpos antishqiptarisë, të cilën këta të VMRO-DPMNE’së e kanë në gjen”, shkruan Mehmeti, në një status në rrjetin social “Facebook”.
Qëllimi i Agjencisë Kombëtare për Programet Arsimore Evropiane dhe Lëvizshmërinë është të punojë në promovimin dhe zbatimin e programeve evropiane në fushën e arsimit, trajnimit, rinisë dhe sportit në RMV.
Përmes këtyre programeve Agjencia Kombëtare synon të kontribuojë në zhvillimin e komunitetit si një shoqëri e bazuar në njohuri të avancuara, me zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, punë më të mira dhe kohezion më të madh shoqëror, duke siguruar mbrojtjen e mjedisit për brezat e ardhshëm dhe veçanërisht shkëmbimin, bashkëpunimin dhe mobiliteti në fushën e arsimit dhe trajnimit.
Maqedonia
Pse po rritet numri i turqve që kërkojnë shtetësi në Maqedoninë e Veriut?
“Jeta në Turqi është bërë politikisht shumë e vështirë, por edhe tepër e shtrenjtë për një familje, prandaj për mua ishte më e lehtë të shpërngulesha këtu dhe të kërkoja shtetësi maqedonase”, shpjegon 28-vjeçari Benk Bingjul për Shërbimin e Maqedonisë së Veriut të Radios Evropa e Lirë (REL).
Ai prej disa muajsh punon si menaxher në një kafene në Shkup, e cila është në pronësi të biznesmenëve turq. Kanë kaluar tashmë dy vjet qëkurse ai u shpërngul nga Antalia në Shkup me bashkëshorten e tij maqedonase. Për këtë arsye ka marrë leje qëndrimi, ndërsa para një muaji bëri kërkesë për shtetësi maqedonase. Ai thotë se i mungon qyteti i lindjes për shkak të jetës pranë detit dhe plazhit, por këtu jeta është më e lirë.
“Për shembull, në shitore, një blerje e zakonshme për shtëpi: perime, vezë, mish, qumësht, edhe nëse blen minimalisht, duhet të paguash rreth 280–300 euro. Ndërsa me këto para në Shkup mund ta mbushësh makinën e vjetër plotësisht: bagazhin, sediljen e përparme dhe të pasmen. Në Turqi kjo është e pamundur”, thotë Bingjul.
Ai nuk e flet mirë gjuhën maqedonase, por thotë se ushtron me bashkëshorten e tij. Një nga kushtet që, sipas ligjit maqedonas, duhet të plotësojë është dhënia e provimit për njohjen e gjuhës maqedonase.
“E kuptoj disi maqedonishten, di të lexoj me alfabet latin, por jo me cirilik. Këtë duhet ta mësoj”, thotë ai. Megjithatë, ky kusht nuk vlen për ata që dëshmojnë se kanë prejardhje maqedonase.
Vala e kërkesave të turqve për shtetësi maqedonase
Përveç njerëzve si Bingjul, të cilët kërkojnë shtetësi maqedonase për shkak të martesës me shtetase maqedonase, gjithsej 10.500 qytetarë turq kanë kërkuar shtetësi maqedonase gjatë katër vjetëve të fundit mbi bazën e prejardhjes maqedonase, tregojnë të dhënat që REL-i i ka marrë nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).
Sipas MPB-së, këta janë shtetas të Turqisë që duhet të dëshmojnë në institucionet maqedonase se janë mërgimtarë nga ky vend dhe se kanë prejardhje etnike maqedonase. Në përgjigjen për REL-in, MPB-ja thekson se arsyeja e rritjes së numrit të kërkesave për shtetësi maqedonase lidhet me ndryshimet e fundit ligjore.
“Ndryshimet ligjore të vitit 2021 kontribuuan në një rritje enorme të numrit të kërkesave për fitimin e shtetësisë maqedonase nga mërgimtarët që jetojnë në Republikën e Turqisë”, tha MPB-ja.
Përkufizimi i ri i “mërgimtarit” në Ligjin për Shtetësinë
Bëhet fjalë për ndryshime në Ligjin për Shtetësinë të propozuara nga qeveria e atëhershme e udhëhequr nga koalicioni LSDM dhe BDI. Ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, propozoi në Kuvend ndryshime në ligj me të cilat përcaktohet se kush konsiderohet mërgimtar.
Sipas ligjit, mërgimtari dhe pasardhësi i tij i gjeneratës së parë mund të fitojnë shtetësi maqedonase pa jetuar në vend, pa e njohur mjaftueshëm gjuhën maqedonase dhe pa hequr dorë nga shtetësia e mëparshme – rregull që vlen për shtetasit e huaj.
“Mërgimtar, në kuptim të këtij ligji, konsiderohet qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut që është shpërngulur nga Republika e Maqedonisë së Veriut në një shtet tjetër, pa marrë parasysh gjininë, racën, ngjyrën e lëkurës, prejardhjen kombëtare dhe shoqërore, bindjet politike dhe fetare, si dhe statusin pasuror dhe shoqëror”, thuhet në Ligjin për Shtetësinë.
Sipas regjistrimit të vitit 2021, i realizuar në periudhën kur këto ndryshime ligjore hynë në fuqi, 3.9 për qind e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut i përkatësin etnisë turke. Të dhënat tregojnë se nga 83.000 turq etnikë, rreth 71.000 jetojnë në vend, ndërsa 12.000 jashtë vendit.
Biznesi, punësimi dhe arsimi si motive për migrim
Interesi i qytetarëve turq për qëndrim në vend vërehet edhe në jetën e përditshme – nga dyqanet që ofrojnë ushqime tradicionale turke deri tek të rinjtë që shëtisin në qendër të Shkupit.
Analisti Donço Gerasimovski thotë se motiv për rritjen e kërkesës për shtetësi maqedonase nga qytetarët turq mund të jenë biznesi, punësimi ose arsimi, ndërsa sipas tij interesi më i madh shihet në fushën e biznesit.
“Merrni si shembull ndërtimtarinë operative. Sa objekte po ndërtohen në vendin tonë, ndërtesa banimi të mëdha dhe të gjera, të realizuara nga kompani turke. Që ta bëjnë këtë në përputhje me ligjin, ata duhet të rregullojnë edhe shtetësinë e tyre. Gjithçka është në funksion të interesit të biznesmenëve, sportistëve dhe atyre që kanë më shumë fitime këtu sesa në vendet e tyre”, shpjegon Gerasimovski.
Ai shton se kjo ndikon edhe në strukturën etnike të popullsisë. “Të gjithë këta persona, varësisht nga vendet nga vijnë, e rrisin numrin e asaj përkatësie etnike”, thotë ai. Me rritjen e interesit për shtetësi, në vend vërehet edhe rritje e kapitalit turk, përkatësisht e kompanive të hapura nga pronarë turq.
Mbi 4.000 kompani të themeluara me kapital turk
Sipas të dhënave që REL-i ka marrë nga Dhoma Ekonomike Maqedonaso-Turke (MATTO), për vitin 2024 numri i kompanive të regjistruara me kapital turk nga persona juridikë dhe fizikë arrin në 4.132. Sipas tyre, interesi i biznesit buron nga marrëdhëniet e afërta maqedonaso-turke.
“Ato bazohen në lidhjen e përbashkët historike nga periudha osmane, numrin e konsiderueshëm të mërgimtarëve nga këto troje në Republikën e Turqisë, si dhe lidhjet familjare dhe kulturore ekzistuese mes qytetarëve të të dyja vendeve. Për më tepër, Republika e Maqedonisë së Veriut paraqet një portë strategjike drejt tregjeve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për kompanitë nga Republika e Turqisë, gjë që rrit atraktivitetin e saj si destinacion investimesh”, thuhet në përgjigjen e MATTO-s për REL-in.
Në rritje është edhe numri i studentëve që vijnë në vend. Sipas profesorit Kiril Barabareev nga Universiteti “Goce Dellçev” në Shtip, gjatë 12 vjetëve të fundit rreth 900 studentë nga Turqia janë regjistruar në këtë universitet.
“Sipas bisedave që kam pasur, Turqia ka shumë të rinj që nuk arrijnë të regjistrohen në sistemin e tyre universitar dhe, duke qenë se arsimi privat atje është shumë i shtrenjtë, ata kërkojnë universitete në rajon ku mund të studiojnë”, thotë ai.
Pasaporta maqedonase dhe udhëtimi pa viza në zonën Shengen si motiv
Mediat turke, pas ngjarjeve në Mal të Zi, ku në tetor të këtij viti u hoq përkohësisht regjimi pa viza për shtetasit turq për shkak të një sërë incidentesh, shkruajnë se Maqedonia e Veriut është bërë destinacion i ri tërheqës për qytetarët turq për shkak të përparësive që ofron.
Një nga arsyet që theksohet është mundësia për udhëtim pa viza në zonën Shengen me pasaportë maqedonase. Po ashtu, përmenden procedura e shpejtë dhe e lirë për themelimin e kompanive, si dhe kostot e përballueshme të jetesës – qiraja, ushqimi dhe transporti – që janë më të ulëta krahasuar me Turqinë.
“Afërsia me Evropën, edhe pse nuk është anëtare e BE-së, pozita strategjike në Ballkan mundëson qasje të lehtë drejt Evropës”, thuhet në analizë.
Ndërkohë, Mali i Zi më 24 dhjetor hoqi vizat për shtetasit turq, por e uli qëndrimin e lejuar nga 90 ditë në 30 ditë, me qëllim, sipas qeverisë malazeze, parandalimin e migrimit ilegal dhe harmonizimin me politikën e vizave të Bashkimit Evropian.
Sipas ndryshimeve të fundit të rregullave evropiane për udhëtimin pa viza, të miratuara muajin e kaluar, është hapur mundësia për pezullim më të shpejtë të regjimit pa viza për vendet jashtë BE-së që paraqesin shqetësim për migrimin ose sigurinë. Maqedonia e Veriut, së bashku me Shqipërinë, Malin e Zi, Kosovën, Bosnjën dhe Serbinë, bën pjesë në grupin e vendeve që mund të përballen me monitorim të shtuar për zbatimin e këtyre rregullave.
Disa nga arsyet për vendosjen e kufizimeve mund të jenë harmonizimi i dobët me politikën e vizave të BE-së dhe programet për dhënien e shtetësisë për investitorë, të ashtuquajturat “pasaporta të arta”, që mundësojnë marrjen e shtetësisë pa lidhje reale dhe të dëshmueshme me vendin. Gjithashtu, po shqyrtohen edhe rreziqe sigurie të lidhura me kërcënime hibride, përfshirë përdorimin politik të migrimit dhe dobësitë në sigurinë e dokumenteve personale, gjë që e ndërlikon edhe më tej pozitën e vendeve të treta që kanë regjim pa viza me BE-në./REL
Maqedonia
“E kishin lënë makinën ndezur”, Policia e Tetovës jep detaje për vjedhjen e veturës së Adrit dhe Ilirianës në Maqedoninë e Veriut
Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë ka dalë me detaje në lidhje me rastin e vjedhjes së makinës së artistëve Adri dhe Iliriana.
Nga SPB Tetovë thonë se rastin në polici e ka raportuar K.R (31) nga Kosova, ndërsa makina e artisëve në rastin që është vjedhur ka qenë e ndezur.
“Më 26.12.2025 në ora 04:15 në SPB Tetovë, K.R.(31) nga Kosova ka denoncuar se rreth orës 01:40, nga hapësira e parkimit të një objekti hotelierik në fshatin Zhelinë të Tetovës, i është marrë automjeti i tij i pasagjerëve „Audi A6“ me marka kombëtare të Kosovës, i cili ishte me dyer të pa bllokuara dhe me motor të ndezur, e në të cilin ndodheshin dokumenti i tij i udhëtimit dhe ai i bashkëshortes së tij. Po ndërmerren masa për gjetjen e automjetit dhe për zbardhjen e rastit”, thonë nga SPB Tetovë.
Lajmin për vjedhjen e makinës e bëri të ditur Adri përmes një njoftimi në llogarinë e tij në Instagram, duke kërkuar ndihmë nga qytetarët për gjetjen e veturës së tij.
“Ju kisha lut shqiptarëve të Maqedonisë me na ndihmu për gjetjen e veturës pasiqë edhe e kemi lajmëru veturën në institucione”, shkruan Adri në postimin e tij.
Ai ka lënë gjithashtu numrin e kontaktit për çdo informacion që mund të çojë në gjetjen e veturës.
Automjeti në fjalë është i tipit Audi 6, dhe Adrit dhe Iliriana shpresojnë që me ndihmën e qytetarëve të mund ta rikuperojnë sa më shpejt.
Maqedonia
Shifrat/ Rritet numri i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, ulet i maqedonasëve
Në 10-vjeçarin e fundit, Maqedonia e Veriut po përballet me rënie të numrit të popullsisë, por jo në të gjitha komunitetet. Shqiptarët shënojnë shifra pozitive sa i përket lindjeve dhe vdekjeve, ndërsa maqedonasit kanë regjistruar një shtim natyror negativ prej rreth 4.100 personash më pak. Specialistët theksojnë se duhet të ndryshohen politikat dhe se çiftet e reja duhet të kenë mbështetje për krijimin e familjeve.
Në nivel shtetëror janë regjistruar 16.061 lindje dhe 20.201 vdekje, duke rezultuar me një shtim natyror negativ. Megjithatë, ndarja sipas përkatësisë etnike zbulon një diferencë të thellë mes komuniteteve kryesore.
Popullsia maqedonase: 6.841 lindje, 14.760 vdekje, bilanc –7.919
Popullsia shqiptare: 5.473 lindje, 3.309 vdekje, bilanc +2.164
Te maqedonasit, për çdo 100 lindje ka pasur rreth 216 vdekje, tregues i qartë i plakjes së popullsisë dhe rënies së vazhdueshme të lindshmërisë. Ndërsa te shqiptarët, për çdo 100 lindje ka rreth 60 vdekje, që mbajtën bilancin natyror pozitiv edhe në kushte emigrimi.
Bilanci sipas komunave
Shkup (gjithsej): –17 (maqedonas –1.395, shqiptarë +1.287)
Karposh: –244 (maqedonas –242, shqiptarë +1)
Kisela Voda: –258 (maqedonas –253, shqiptarë 0)
Manastir: –459 (maqedonas –774, shqiptarë –15)
Çair: +351 (maqedonas –100, shqiptarë +427)
Saraj: +332 (maqedonas +3, shqiptarë +329)
Studeniçan: +137 (maqedonas +1, shqiptarë +84)
Haraçinë: +138 (maqedonas +2, shqiptarë +133)
Analistët vlerësojnë se ndryshimi demografik do të ndikojë drejtpërdrejt në strukturën e arsimit, tregun e punës dhe sistemin pensional, si dhe në balancat politike dhe ekonomike të vendit në dekadat e ardhshme.
Në të kaluarën, Maqedonia e Veriut ka pasur politika për shtimin e popullsisë, si pagesa mujore për fëmijën e tretë dhe të katërt, të cilat nuk kanë treguar sukses të dukshëm. Së fundmi, është paralajmëruar rikthimi i fokusit te politika të reja, duke përfshirë lehtësime për blerjen e banesave për çiftet e reja, me synimin për të adresuar arsyet pse të rinjtë martohen më rrallë dhe krijojnë familje me vonesë.
Madje, në mënyrë të diskutueshme dhe për të testuar opinionin publik, kryeministri Hristijan Mickoski kishte deklaruar se beqarët do të paguanin taksa, deklaratë që u prit me reagime të ashpra në opinion.
-
Fashion8 years agoThese ’90s fashion trends are making a comeback in 2017
-
Entertainment8 years agoThe final 6 ‘Game of Thrones’ episodes might feel like a full season
-
Fashion8 years agoAccording to Dior Couture, this taboo fashion accessory is back
-
Entertainment8 years agoThe old and New Edition cast comes together to perform
-
Sports8 years agoPhillies’ Aaron Altherr makes mind-boggling barehanded play
-
Business8 years agoUber and Lyft are finally available in all of New York State
-
Entertainment8 years agoDisney’s live-action Aladdin finally finds its stars
-
Sports8 years agoSteph Curry finally got the contract he deserves from the Warriors
