I nxehti rikthehet në Britaninë e Madhe. Një alarm për temperatura të larta është lëshuar në shumicën e pjesëve të Anglisë pasi temperaturat mund të arrijnë në 32 gradë Celsius.
Paralajmërimi i verdhë i Agjencisë së Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar është në fuqi në shtatë rajone. Për të moshuarit dhe njerëzit me sëmundje kronike është lëshuar një paralajmërim që të kufizojnë lëvizjet.
I nxehti do të përfshijë Uellsin, disa pjesë të Skocisë dhe Irlandës së Veriut. Rajonet të cilat janë nën paralajmërim janë: Londra, Juglindja, Jugperëndimi, Lindja dhe West Midlands dhe Yorkshire dhe Humber.
Temperaturat arritën në fillim të kësaj jave 30 gradë Celsius në Anglinë jugore dhe Uellsin juglindor, sipas Met Office. Muaji Qershor ishte më i nxehti i rregjistruar këtë vit në Britaninë e Madhe .
Sipas meterologëve i nxehti pritet të largohet gjatë javës së ardhshme. Ekspertët shprehen se valët e të nxehtit po bëhen më të mundshme dhe më ekstreme për shkak të ndryshimeve klimatike. Vitin e kaluar, Britania e Madhe regjistroi për herë të parë temperatura mbi 40 gradë Celsius.