Kandidati i moderuar për president të Iranit, Abdolnasser Hemmati, ia uroi fitoren në zgjedhje presidenciale kundërkandidatit të tij, Ebrahim Raisi, ndonëse rezultatet zyrtare ende nuk janë shpallur.
“Shpresoj që administrata juaj, nën udhëheqësinë e liderit suprem, Ayatollah Ali Khamenei, do ta bëjë krenare Republikën Islamike, do ta përmirësojë jetesën dhe do ta sigurojë mirëqenien e kombit”, thuhet në letrën e urimit për Raisin nga kundërkandidati i tij.
Përmes një fjalimi të transmetuar në televizion, presidenti i deritashëm i Iranit, Hassan Rouhani, e uroi atë që e quajti “të zgjedhur të popullit”, pa ia përmendur emrin, por sipas të gjitha gjasave iu referua Raisit, duke thënë: “Për shkak se ende nuk është njoftuar zyrtarisht, unë do ta shtyj urimin zyrtar, por është e qartë se kush i ka marrë votat.”
Raisin e uruan edhe kandidatët tjerë për president, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express. Ministria e Brendshme pritet që rezultatin përfundimtar ta shpallë më vonë të shtunën, sepse numërimi i votave ende po vazhdon, raportoi televizioni shtetëror.
Raisi është kritik i ashpër i Perëndimit dhe ndodhet nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara nën dyshimin për përfshirje në ekzekutimin e të burgosurve politikë disa dekada më parë.
Ai e gëzon mbështetjen e Rojave Revolucionare, njësi elite e ushtrisë iraniane me ndikim të madh edhe në skenën politike, si dhe është aleat i afërt i liderit suprem, i cili më 2019 e emëroi shef të sistemit të drejtësisë.