Pas lajmit për vdekjen e Mbretëreshës Elizabeth II, kuzhinieri i njohur Ismet Shehu, ka rrëfyer përvojën e tij duke i shërbyer monarkes në pallatin Buckingam.
Shehu ishte i ftuar në “Euronews Albania”, ku gjatë intervistës tregoi se në periudhën e studimeve në Angli ai u zgjodh në mesin e shumë studenteve të tjerë për t’i shërbyer Mbretëreshës. Ndër të tjera Ismet Shehu tregoi emocionet dhe “përçmimin” e shokëve për këtë detyrë të tij.
“Na thanë se një nga studentët do të shkojë në Buckingam Palace, do bënim edhe kuzhinë dhe shërbimin, unë zgjodha shërbimin më tepër se doja të isha më pranë Mbretëreshës. Më thanë shko shërbe ti, kur të shkosh do ulesh në gjunjë dhe do thuash ‘Madhëria Juaj’. Kisha shumë emocion. Ka qenë emocion i veçantë që kur jam përzgjedhur tek klasa, ku disa studentëve s’u vinte mirë pse një shqiptar të shkojë të shërbejë në pallatin mbretëror. Emocioni ishte shumë i madh, vetëm brohoritjet që dëgjoheshin nga njerëzit e grumbulluar jashtë pallatit të jepnin emocion të veçantë”, -u shpreh Shehu.
Shefi i njohur ndau edhe detaje rreth menusë që iu shërbye Mbretëreshës së Anglisë.
“I gjithë gatimi ka qenë me peshk, me detaje shumë të vogla, salmon sallata, supë”, -përfundoi Ismet Shehu.
Kujtojmë që Mbretëresha Elizabeth II ka ndërruar jetë më 8 shtator në moshën 96 vjeçare. Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi në Twitter nga familja mbretërore: “Mbretëresha vdiq në mënyrë paqësore në Balmoral këtë pasdite. Mbretëresha dhe shoqëruesit e saj do të qëndrojnë në Balmoral këtë mbrëmje dhe do të kthehen në Londër nesër.”