Presidenti i ndjerë, Ibrahim Rugova, shpesh ishte pyetur në lidhje me fenë krishtere nga gazetarët e huaj. Gjithë kjo e shtyrë edhe nga fakti që ai ishte ndihmuar nga komuniteti katolik i Sant’Egidio që të zhvendosej nga Beogradi, ku ishte i marrë peng nga regjimi i Millosheviçit, në drejtim të Romës. Pas asaj, ai zhvilloi një seri takimesh me klerikët më të lartë fetarë katolikë në Vatikan dhe jo vetëm. Propaganda e nxitur nga qarqet serbe, e cila përpiqej që ta përkufizonte popullin shqiptar të Kosovës me lidhje të ndryshme ekstremiste fetare nga lindja, bënte që Rugovës t’i drejtoheshin shumë pyetje edhe sa i përket shtrirjes dhe impaktit të religjionit islam në vend.
Njësoj siç do ta dëshmojë kjo intervistë të cilën do ta përkthejmë nga arkivi i gazetës italiane Corriere Della Sera, i datës 27 nëntor, 2003 – ku ai flet me simpati për krishtërimin, por edhe për zhvillime tjera. Çfarë thoshte Rugova për tolerancën fetare në Kosovë, procesin e pavarësisë së vendit, ndryshimin e kufijve, etj – do të mund t’i lexoni më poshtë, në një intervistë të papërkthyer deri më tani, të cilën e siguroi gazeta Nacionale.
Corriere Della Sera:
Presidenti Rugova, a është e vërtetë që jeni konvertuar në fenë krishtere?
“Një buzëqeshje, një qetësi e gjatë. Nxënësi i vjetër i Roland Barthes di t’i masë fjalët”, kështu shkruan në hyrje të artikullit gazetari italian.
Ibrahim Rugova:
Ta themi kështu: sot gëzoj një lloj simpatie të veçantë për edukatën krishtere dhe perëndimore.
Corriere Della Sera:
A mund ta quajmë një rrugëtim shpirtëror atë çfarë jeni duke e bërë?
Ibrahim Rugova:
Edukata jonë është me prejardhje perëndimore. Edhe historikisht besimi i parë fetar i praktikuar nga populli shqiptar ka qenë ai krishter. Xhamiat dhe pjesët tjera kanë ardhur më vonë. Që prej Ilirëve dhe Romakëve, ka pasur në këto toka gjurmë të krishterimit. Ndërkaq, me ardhjen e Otomanëve një pjesë e popullatës u detyrua me dhunë që të konvertohej në fenë islame. Kjo ka ndodhur edhe pas Skënderbeut dhe rezistencës së tij ndaj pushtimit turk.
Corriere Della Sera:
Një rikthim te rrënjët…
Ibrahim Rugova:
Ka pasur një depërtim shumë të thellë të doktrinës muslimane dhe kjo akoma sot përkthehet në vendosjen e emrave dhe në kostumet e popullit tonë. Krishterët dhe muslimanët janë integruar në një lloj harmonie. I vetmi prezumim i ekzistencës sonë është toleranca reciproke. Pa këtë do të ishim zhdukur: ne kosovarët, por edhe shqiptarët e Shqipërisë dhe maqedonët. Kështu që, sot, në këtë klimë, secili nga ne mund ta zgjedhë religjionin që e përfaqëson më së miri.
Corriere Della Sera:
Mirëpo, ju jeni presidenti i Kosovës…
Ibrahim Rugova:
Kjo e imja është një interesim kulturor dhe shpirtëror krejtësisht personal. A e shihni atë portret? Ai është portret i Pjetër Bodganit. Ka qenë një ipeshkëv i madh i Kosovës. Në vitet ‘600 e luftoi penetrimin islamik në këtë tokë. Një figurë e jashtëzakonshme, shumë aktual për kë dëshiron që t’i kuptojë këto epoka të konfrontimeve mes civilizimit.
Corriere Della Sera:
Kur do të pagëzoheni?
Ibrahim Rugova:
(Një tjetër buzëqeshje) Do ta shohim…
Tani objektivi im është mbi të gjitha politik. Dua që të synoj në një tolerancë mes të krishterëve dhe muslimanëve.
Ëndrra ime është që t’ia ndërtojmë një mauzole Nënë Terezës, krishteres dhe shqiptares së madhe. E kanë dizajnuar dy arkitektë italianë, Bruno Valente dhe Giuseppe Durastanti. Kam qenë në Vatikan. Ia kam treguar projektin edhe ministrit të juaj Buttiglione.
Corriere Della Sera:
Por, ato para a nuk mund të përdoren për gjëra më urgjente?
Ibrahim Rugova:
Projekti do të financohet nga donacionet individuale. Në çdo rast, neve na nevojiten këto simbole. Dhe, nuk besoj që me shumën e destinuar për një kishë, të ndryshojë edhe ekonomia e vendit.
Corriere Della Sera:
Çfarë vendi? Ju flisni për pavarësinë dhe amerikanët madje kanë caktuar një limit kohor (2005), por Kosova varet akoma nga Beogradi, të paktën formalisht…
Ibrahim Rugova:
Do të jemi të pavarur para vitit 2005. Është një hipotezë realiste.
Corriere Della Sera:
Mirëpo, lufta e Kosovës u bë, siç thuhej, për një Kosovë multietnike: shqiptarët muslimanë afër serbëve të krishterë. Ndërkaq, këtu është shqiptarizuar gjithçka. Mendoni që Evropa mund ta pranojë një Kosovë pa praninë e serbëve?
Ibrahim Rugova:
Kjo do të shndërrohet në një shoqëri multietnike, siç është Evropa. Është e vërtetë: impakti i parë që mund t’ju jepet është se shenjat, monumentet dhe gjuha janë shqiptare, por kjo vetëm për arsyen se shumica e popullit tanimë janë shqiptarë. Pas luftës pakicat serbe, turke, boshnjake dhe rome – janë pakësuar. Kjo nuk do të thotë që për ta nuk do të ketë hapësirë.
Corriere Della Sera:
Një hapësirë minimale: serbët vriten. Edhe ju, sa herë i keni vizituar pakicat?
Ibrahim Rugova:
Nganjëherë e kam bërë. Por, jam i prirë që t’i kufizoj daljet e mia publike për arsye të sigurisë.
Corriere Della Sera:
Por, ju a jeni në favor të rikthimit të serbëve në zonat si ajo e Pejës, që është e kontrolluar nga ushtarët italianë, e ku bashkëjetesa ndër-etnike duket e mundshme?
Ibrahim Rugova:
Po! Janë rikthyer shtatë mijë veta. Mirëpo, kjo varet nga zgjedhjet personale dhe jo nga propaganda e Beogradit që krijon destabilitet.
Corriere Della Sera:
Në Vienë, në takimet e para mes shqiptarëve dhe serbëve në ’99-en, ishit vetëm ju. Krerët e lartë të UÇK-së dezertuan.
Ibrahim Rugova:
Unë isha në cilësinë e presidentit të Kosovës. Kam konstatuar që të tjerët kanë hezituar. Por, kjo bën pjesë në dialektikën normale të një demokracie.
Corriere Della Sera:
A është e vërtetë që Beogradi është i gatshëm të heq dorë nga Kosova në këmbim të 2 milionë dollarëve dhe te një rruge të shkurtër drejt anëtarësimit në BE?
Ibrahim Rugova:
Iluzione!
Nuk di asgjë. Për neve çmimi i paguar ka qenë lufta. Pastaj, nëse serbët dëshirojnë të hyjnë në BE, ajo është çështje e tyre.
Corriere Della Sera:
Tribunali i Hagës po heton mbi krimet e kryera jo vetëm nga Millosheviçi, por edhe nga liderët aktualë kosovarë, me Thaçin dhe Agim Çekun në krye. A do t’i dorëzoni?
Ibrahim Rugova:
Mandati i Carla Del Ponte shtrihet në të gjithë ballkanin. Ne jemi të prirë që të bashkëpunojmë. Por, nëse ka të bëjë me kryerjen e arrestimeve, kjo nuk është detyrë që na përket neve. Diçka e tillë është në kompetencën e OKB-së, që për momentin është administruese në këtë rajon.
Corriere Della Sera:
Kjo pjesë e ballkanit (Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi) është një katërkëndësh i krimit. Evropa është shumë e brengosur për shumë trafiqe të drogës, armëve dhe qenjëve njerëzore. Si mendoni që ta siguroni atë (Evropën)?
Ibrahim Rugova:
Problemi është te qarkullimi i lirë në atë zonë. Tanimë ajo zonë është e kufizuar për atë që është njeri i mirë, ndërsa e papenguar për atë që është kriminel. Ka diçka që nuk funksionon te kontrollat. OKB-ja dhe organizatat evropiane duhet ta kuptojnë që kufijtë duhen parë nga një këndvështrim tjetër dhe jo duke bllokuar atë që dëshiron të bëjë pasuri të ligjshme. Për shembull, unë do e dëshiroja një autostradë të madhe Prishtinë – Durrës, për t’u mundësuar mallrave që të arrinë në Adriatik pa u ndeshur me bjeshët, ku janë kontrabandistët ata që diktojnë rregullat. Por, është një projekt i vështirë për ta realizuar.
Corriere Della Sera:
Sa duhet të zgjasë prania ndërkombëtare në Kosovë?
Ibrahim Rugova:
Misioni i OKB-së (UNMIK-u) që tani është duke i deleguar shumë pushtet autoriteteve tona.
Sa i përket NATO-s, bazat do të qëndrojnë. E ardhmja e Kosovës së pavarur është e ndërlidhur me anëtarësimin e saj në NATO.
Corriere Della Sera:
Por, si do të jetë kjo Kosovë e pavarur? Çfarë flamuri do ta ketë? Po kufijtë do të jenë ato të sotme? Shqiptarët në jug të Serbisë do të dëshironin që të aneksoheshin prej juve, ndërsa banorët në Prishtinë kërkojnë që të aneksohen nga Tirana…
Ibranim Rugova:
Flamuri është që tani gati (Rugova ua tregon në një sallë, ku e kishte pozicionuar afër flamurit shqiptar). Shqiponja shqiptare në një rrumbullak të kuq me prapavijë të kaltërt, e cila është edhe ngjyra e qiellit tonë, por edhe e tolerancës dhe Evropës.
Këtu është i pranishëm edhe mbishkrimi ‘Dardania’, i cili është emri i lashtë i Kosovës dhe një yll gjashtë pikësh, që është ai i Skënderbeut. Kufijtë? Jo, janë të paprekshëm. Nëse do t’i preknim, do të rihapeshin të gjitha mosmarrëveshjet në ballkan.
Corriere Della Sera:
Flamuri a do të valon mbi katedralen e Nënë Terezës?
Ibrahim Rugova:
Akoma është herët për ta thënë. Parcela e tokës është, guri i parë veçse është vendosur. Në 2004-en do t’i fillojmë punimet. Kemi nguti për ta përfunduar.
Corriere Della Sera:
Pse?
Ibrahim Rugova:
I kam kërkuar Papës që të vijë për ta përuruar.