Komo po përgatit një surprizë të dyfishtë në merkato, me synimin për të sjellë në skuadër Alvaro Moratën dhe Malik Çaun, një operacion që, në total, mund t’i kushtojë klubit rreth 45 milionë euro. Të dyja tratativat janë në një fazë të avancuar, me optimizëm në rritje për mbylljen e suksesshme të marrëveshjeve.
Sulmuesi spanjoll është gjithnjë e më pranë një rikthimi të bujshëm në futbollin italian, këtë herë me fanellën e Komos. Morata, aktualisht në huazim te Gallatasaraj deri në dhjetor, ka arritur një marrëveshje personale me Sesk Fabregas, trajnerin dhe njeriun kyç të projektit ambicioz të Komos. Milani, që zotëron të drejtat e lojtarit, nuk ka kundërshtime për transferimin, por pengesa e vetme mbetet gjetja e një akordi me klubin turk për të ndërprerë huazimin gjashtë muaj përpara.
Zëvendëspresidenti i Gallatasarajit, Abdullah Kavukçu, ka deklaruar publikisht: “Morata është lojtari ynë dhe nuk duam ta lëmë të largohet. Ne nuk japim asnjë lojtar falas”. Megjithatë, negociatat janë në rrugë të mbarë dhe marrëveshja duket çështje kohe.
Në anën tjetër, Malik Çau është objekti i një tjetër oferte të rëndësishme të Komos, me klubin që është gati të shpenzojë 25-30 milionë euro për kartonin e mbrojtësit të Milanit. Për vetë lojtarin, është ofruar një pagë vjetore prej 4 milionë euro, shumë më e lartë se rroga aktuale e tij në “San Siro”. Milani është i hapur për shitjen, duke pasur parasysh se nuk e konsideron Çaun të pashitshëm. Në listën e mbrojtësve, Tomori dhe Pavloviç gëzojnë besimin e klubit, ndërsa Gabbia është vlerësuar për qëndrueshmërinë dhe formimin e tij në klub.