Federata Ndërkombëtare e Xhudos ka vlerësuar lart paraqitjen e Distria Krasniqit në ditën e parë të Grand Slamit në Budapest.
Krasniqi fitoi të artën në kategorinë deri 48 kilogramë, ndërsa në finale e mposhti kampionen olimpike, argjentinasen, Paula Pareto.
IJF-ja ka shkruar se do të mbahen mend fitoret e fuqishme të Krasniqit.
“Krasniqi! Kjo është e tëra”, ka komentuar IJF-ja për t’ia rritur edhe më shumë vlerën e medaljes së xhudistes kosovare.
“Përballja me një kampione olimpike për shumicën është një sfidë e madhe që kërkon të japësh çdo gjë nga vetja dhe që të dërrmon. Por jo në këtë rast. Krasniqi ose është e patrembur, ose mjeshtre e të bërit të fytyrës së qeshur. Cilado që është, ajo ka prodhuar xhudo impresive nga një trup makinë për xhudo. Ishte privilegj të shohësh atë duke demoluar gjithë kategorinë, përfshirë edhe Pareton në finale”, shkruan tutje IJF-ja.
Edhe në analizën teknike, që e bëjnë ekspertë të xhudos, i është kushtuar rëndësi paraqitjes së Krasniqit në Budapest. Ajo ka kohë që vazhdon të marr medalje me shumë peshë.
“Distria Krasniqi e Kosovës ka imponuar forcën e saj në kategorinë deri 48 kilogramë për të arritur në finale. Në finale ajo u përball me kampionen olimpike, Pareto, por nuk i ka dhënë asnjë rast asaj. Pas vetëm 12 sekondave ka realizuar aksion për ‘Waza-ari’. Ajo vërtetë ka dominuar”, kanë shkruar ekspertët e IJF-së, Nicolas Messner e Jo Crowley.