Kosova
IKD: Letra e dorëzuar nga Kurti, nuk paraqet akt të dorëheqjes
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar pas zhvillimeve në seancën konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, punimet e së cilës u pezulluan. Sipas IKD-së, shkak për këtë u bë “mosvotimi i Raportit të Komisionit për Verifikimin e Mandateve dhe Kuorumit, me arsyetimin se Kryeministri dhe akterët qeveritar nuk dhanë dorëheqje nga pozitat e tyre në Qeverinë e Republikës së Kosovës”.
Fillimisht, IKD në vazhdimësi ka theksuar se paqartësitë rreth çështjes së dorëheqjes së anëtarëve të kabinetit qeveritar janë krijuar si rezultat i mosrregullimit adekuat të Ligjit për Qeverinë Nr.08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Tutje, IKD ka theksuar vazhdimisht se në frymën e funksionimit të institucioneve, dispozitat kushtetuese dhe ligjore në këtë situatë duhet të interpretohen në atë mënyrë që anëtarët e Qeverisë duhet të japin dorëheqje në momentin e dhënies së betimit si deputet”, thuhet në reagim.
Për tepër sipas IKD-së, “letra e dorëzuar nga Kryeministri në detyrë, z. Albin Kurti, nuk paraqet akt të dorëheqjes. Interpretimi i z. Kurti se Qeveria e tij ka statusin ekuivalent me Qeverinë në detyrë vlenë për Qeverinë si institucion dhe jo për të si kreu i saj. Përmbajtja e njoftimit të Kryeministrit tregon synimin e tij që ai të vazhdojë ta udhëheqë Qeverinë në detyrë edhe duke qenë deputet”.
“Në bazë të Ligjit NR.08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës, Kryeministri duhet të jap dorëheqje në momentin e betimit të tij si deputet. Nga ky moment, Qeveria do të vazhdojë të funksionojë si qeveri në dorëheqje, por se nuk mund të udhëhiqet nga z. Kurti. Udhëheqja në këtë rast kalon tek zv. Kryeministri i Qeverisë në detyrë dhe postet ministrore udhëheqen nga zv. Ministrat. Përjashtim bëjnë rastet kur një ministër nuk është zgjedhur deputet, në këtë rast, ai mund të vazhdojë të ushtrojë detyrën”, thuhet në njoftim.
IKD thekson se letra e dorëheqjes duhet të jetë e qartë dhe mos të lejoj hapësira për interpretime. E njëjta letër nuk duhet t’i drejtohet ish-Kryetarit të Kuvendit, z. Glauk Konjufca. Aktualisht, deri në zgjedhjen e Kryetarit të ri të Kuvendit. Mbi këtë çështje, letra e dorëheqjes duhet drejtuar tek Kryesuesi i seancës konstituive, që sipas Rregullores së Kuvendit duhet të jetë deputeti më i vjetër, e që në këtë rast është z. Avni Dehari.
Krejt në fund, IKD u bënë thirrje të gjitha partive politike që duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, të konstituojnë sa më shpejtë Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe t’i hapet rrugë formimit të institucioneve të reja.
Edhe opozita vuri në dyshim dorëheqjen e Kurtit nga posti i kryeministrit dhe anëtarëve të tjerë të Qeverisë që janë zgjedhur deputetë në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Kosova
I dhanë mundësinë të krijojë qeverinë pa opozitën, Kurti mesazh falënderues për të gjithë votuesit e LVV: U jemi mirënjohës përjetë
Me një mesazh falënderues u është drejtuar Albin Kurti të gjithë votuesve të partisë së tij në zgjedhjet e jashtëzakonshme që u mbajtën dje në Kosovë, dhe që i dhanë mundësinë të krijojë qeverinë pa opozitën.
Kurti tha se puna vazhdon, dhe premtoi se siguria e begatia do të shtohen.
“Në dhjetë ditë fushatë, dhjetëra mijëra duar të shtrënguara e mijëra dyer të hapura nga ju në qindra takime e tubime anembanë.
Na pritët me ngrohtësi e besim, e për këtë ju falënderoj përzemërsisht. Jeni shumë, madje aq shumë sa shumicës nuk ua njohim e dimë emrin. Dhe, u angazhuat pa kursim për fitoren e VETËVENDOSJE!-s me partnerë, për fitoren tuaj.
Të dashur bashkatdhetarë që erdhët nga Evropa, Amerika e nga çdo cep i botës, ose që votuat me postë apo fizikisht pardje në ambasadat e konsullatat tona, u jemi mirënjohës përjetë për kontributin tuaj të pamatshëm për liri e shtet dhe komb, si dhe për përkrahjen vendimtare që e bëri fitoren në këto zgjedhje aq madhështore saqë historike.
Puna vazhdon, siguria e begatia do të shtohen. Na priftë e mbara!”, shkruan Kurti.
Kosova
“Kurti fitues pas muajsh bllokade politike”, BBC: Normalizimi i marrëdhënieve me Brukselin dhe Uashingtonin në axhendën e qeverisë së re
Partia nacionaliste shqiptare Vetëvendosje ka fituar një fitore bindëse në zgjedhjet parlamentare në Kosovë, sipas rezultateve paraprake.
Me 90% të votave të numëruara, kjo parti, emri i së cilës do të thotë “vetëvendosje”, ka marrë 50.8% të votave, çka i siguron liderit të saj, Albin Kurti, një mandat të tretë në pushtet.
Dy partitë kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e qendrës së djathtë dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), kanë marrë përkatësisht 20.98% dhe 13.89% të votave.
Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet edhe në muajin shkurt, por pa arritur shumicën, dhe Kosova ka qenë pa një qeveri funksionale që nga ajo kohë.
Kjo bllokadë ngriti një pyetje të madhe mbi këto zgjedhje të dyta parlamentare brenda vitit: a do ta ndëshkonin votuesit Kurtin për muajt e gjatë të ngërçit në Kuvendin e Kosovës, apo partitë opozitare që refuzuan të merrnin parasysh një koalicion me lëvizjen e tij të majtë?
Elektorati ka dhënë një përgjigje të qartë. Edhe pse rezultati nuk mjafton për t’i siguruar Kurtit qeverisje pa partnerë koalicioni, ai nuk pritet ta ketë të vështirë të gjejë mbështetje te deputetët e partive të pakicave etnike, të cilat kanë të garantuara 20 nga 120 vendet në Kuvend.
Kjo është fitorja e katërt radhazi e Vetëvendosjes në zgjedhjet parlamentare. Rezultati përbën një rehabilitim politik pas bllokimit nga partitë opozitare të përpjekjeve të Kurtit për të formuar qeveri pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Kurti e quajti këtë “fitoren më të madhe në historinë e vendit” dhe tha se pret që opozita këtë herë të bashkëpunojë, e jo të pengojë proceset.
Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e renditur e treta, sinjalizoi se kjo mund të jetë e mundur. “Kur flasin votuesit, rezultati nuk mund të injorohet,” shkroi ai në rrjetet sociale. “Kërkohet reflektim dhe veprim i përgjegjshëm,” shtoi ai.
Në lojë janë shumë interesa. Kosova ka humbur qindra miliona euro fonde nga Bashkimi Evropian për shkak të mungesës së një qeverie funksionale. Kurti përmendi gjithashtu marrëveshje të mundshme me Bankën Botërore, të cilat do ta çonin shumën totale në mbi 1 miliard euro.
Rregullimi i marrëdhënieve me mbështetësit kryesorë ndërkombëtarë të Kosovës, BE-në dhe SHBA-në, pritet gjithashtu të jetë në axhendë. Kurti ka zemëruar Brukselin dhe Uashingtonin duke ndërmarrë vazhdimisht veprime ndaj institucioneve që u shërbejnë pakicës serbe në Kosovë – nga zyrat postare deri te institucionet shëndetësore – duke rritur tensionet në veriun e Kosovës me shumicë serbe.
BE-ja ka rënë dakord më në fund të heqë masat ndëshkuese të vendosura në vitin 2023, por pritet të kërkojë nga Kurti një qasje më pragmatike ndaj dialogut të ngecur për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, në vend të vijës së tij zakonisht dogmatike. Duke pasur parasysh marrëdhëniet e ftohta me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, kjo mund të mbetet një shpresë e kotë.
Fakti që votuesit e Kosovës kanë mbështetur fuqishëm një figurë kaq polarizuese pasqyron pakënaqësinë e tyre ndaj alternativave. Partitë e lidhura me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dominuan qeverisjen në dekadën pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë në vitin 2008, por nuk arritën të përmbushin premtimet për prosperitet.
Një analist, Artan Muhaxhiri, vuri në dukje “shkeljet e panumërta të kushtetutës nga Vetëvendosje, mungesën e zhvillimit ekonomik dhe prishjen e marrëdhënieve me aleatët” gjatë viteve të saj në pushtet.
Megjithatë, ai përfundoi se “pavarësisht të gjitha mangësive, qytetarët e kanë konsideruar opozitën më të dëmshme”.
Kosova
Përfundon numërimi i votave për subjektet politike, nis numërimi për kandidatët në 38 Qendra Komunale
Të dielën në mbrëmje, është përmbyllur procesi i numërimit të fletëvotimeve për subjektet politike në 2,557 vendvotime ku është zhvilluar votimi i rregullt.
Sipas procedurave, të gjitha materialet zgjedhore janë tërhequr dhe vendosur në Qendrat Komunale të Numërimit në 38 komunat e vendit.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, numërimi i fletëvotimeve të subjekteve politike të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës bëhet në vendvotim, pasi të përfundojë procesi i votimit, ndërkaq, numërimi i votave të kandidatëve për deputetë bëhet në Qendra Komunale të Numërimit.
Përveç numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, në këto qendra, sipas Rregullores Zgjedhore të KQZ-së për Qendrat Komunale të Numërimit, do të bëhet edhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët që janë plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve.
Ky proces, i njëjtë do të bëhet në 38 Qendra Komunale të Numërimit, në të cilat do të punohet me dy orare. Numërimi i votave të kandidatëve dhe verifikimi i rezultateve, do të bëhet duke ofruar transparencë të plotë dhe nën monitorimin e vëzhguesve.
Përveç organizimit të votimit në 2,557 vendvotime të rregullta, ka mundësuar:
– votimin me kusht në 38 qendra votimi me 57 vendvotime;
– votimin jashtë vendvotimeve përmes ekipeve mobile votuesit me nevoja të veçanta dhe
– votimin jashtë Kosovës në përfaqësitë diplomatike dhe përmes postës.
Sipas të dhënave preliminare, nga 57 vendvotime me kusht, në 38 komuna të vendit, në përgjithësi janë evidentuar në sistem mbi 9,900 votues të regjistruar për të votuar me kusht.
Së shpejti do të kemi edhe të dhënat nga votimi i personave me nevoja të veçanta, i cili është realizuar jashtë vendvotimeve. Numri i votuesve të regjistruar në këtë program votimi ka qenë 2,860.
Nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht nga votimi në 29 përfaqësi diplomatike, nga 19,187 shtetasit e regjistruar, kanë votuar 16,165 prej tyre apo 84.24%. Ndërkaq, nga votimi përmes postës, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar ka qenë rreth 58 mijë. Nga ky lloj votimi, ende nuk kemi të dhëna përfundimtare për numrin e pakove me fletëvotime pasi këto të dhëna do t’i kemi pas përfundimit të procesit të tërheqjes së tyre nga kutitë postare. Sipas të dhënave preliminare, vetëm nga tërheqjet e dy kutive postare, në Berlin dhe Bern, janë tërhequr 18 mijë pako të supozuara me fletëvotime.
-
Albania2 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Albania16 hours agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
UK2 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania16 hours agoAnomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor
-
Albania18 hours ago“Katolikët monitoroheshin, myslimanët përgatitnin ushqimet për ta” – si festoheshin Krishtlindjet në komunizëm në Shqipëri
-
UK16 hours agoPrinci William dhe Kate Middleton vendosën vijë sigurie 9.6km rreth rezidencës së tyre të re, reagojnë banorët e zonës: Masa të tepruara dhe pa konsultim
-
Albania57 minutes agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
UK5 hours agoSpitalet paralajmëruan se kriza e kujdesit në fund të jetës kërcënon trajtimin
