Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, po qëndron sot në Kosovë. Në një organizim të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn, kreu i shtetit shqiptar ka ndarë medalje për të gjithë ushtarët e FSK-së të cilët i dolën në ndihmë zonave të prekura nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit.
Haradinaj ka thënë se shqiptarët janë më unik se kurrë dhe që nuk ka tërmet që e ligështon këtë relacion.
Njoftimi i plotë i Haradinajt:
Ne jemi unik si kurrë më parë, sepse të bashkuar s’ka tërmet që na ligështon!
Sot, jemi të gjithë të nderuar nga Presidenti shqiptar Ilir Meta, me ndarjen e dekoratave për njësitet e kërkim shpëtimit të Kosovës që shërbyen për t’i dalë në ndihmë Shqipërisë pas tërmetit tragjik.
Këtë nder na e krijoi Ushtria jonë, e cila me profesionalizëm e në heshtje, pa mburrje e vet-reklamë kreu misionin e saj të shenjtë kushtetues dhe patriotik, që ia ka besuar populli i Kosovës!
Me gatishmërinë tonë, duke vënë në funksion të gjithë mekanizmat shtetëror ndaj vëllezërve dhe motrave andej kufirit, morëm një mesazh historik, se ne shqiptarët nuk jemi më në dimrin e vetmisë së madhe.
Jemi rritur vetë dhe kemi shumë miq që na duan.
Krenar me Forcën tonë!