Presidenti Ilir Meta ditën e sotme deklaroic se më 25 prill është koha për një përmbysje të madhe.
Sipas Metës, vendi përballet me dy probleme të mëdha; bllokimin e integrimit europian dhe shpopullimin.
“Të gjithë ndajmë të njëjtin mendim, që zgjedhjet duhet të ishin mbajtur me kohë, në kuptimin e zgjidhjes së shumë problemeve ekonomike e sociale, që jo vetëm nuk kanë marr një drejtim por, janë majisur tepër rëndë, duke shtuar akoma më shumë varfërinë dhe padrejtësitë ndaj qytetarit të thjeshtë, të palidhur politikisht me pushtetin, në nivel qendror apo vendor.
Është evidente, se tashmë vendi përballet me dy probleme të mëdha, bllokimin e integrimit europian, pra me mosçeljen e negociatave prej kaq kohësh, si dhe me ritmet dramatike të shpopullimit, largimit masiv i të rinjve dhe forcave më aktive, në një asimetri me vendet e tjera të rajonit. Shpopullimi dhe pasojat e tij, ndihen besoj nga vetë mësuesit, nga shkollat 9-vjeçare, të mesme dhe Universitetet, ku çdo vit ka gjithnjë e më pak regjistrime, mbyllen shkolla dhe degë në fakultete. E ndjejnë sipërmarrësit, të cilët kanë paqëndrueshmëri të fuqisë punëtore, madje nuk kanë shpesh fuqi punëtore për shkak të largimeve. E ndjen ekonomia shqiptare dhe mbi të gjitha ndihet në familjen shqiptare, që po tkurret dhe po përjeton kriza të mëdha. Ndaj është koha për një përmbysje të madhe. Problemet janë majisur dhe nuk kanë marrë zgjidhje”, tha Meta.