Zhvlerësimi i euros nuk po përkthehet në rënie të çmimeve të mallrave të importit… përkundrazi. Në një kohë që krahasuar me fillimvitin, euro është zhvlerësuar me gati 9 për qind, çmimet e produkteve të importit, kryesisht ushqimet… janë shtrenjtuar mesatarisht me 6 për qind.
“Duket sikur importuesit janë fokusuar te fitimi i momentit pa reflektuar luhatjet e kursit të këmbimit. Marzhet e tyre të fitimit janë rritur, ndërsa nuk përjashtohen edhe rastet e spekulimit nga ana e tyre”, tha Edison Zaçaj, pedagog ekonomie.
Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se në harkun e muajve janar-qershor janë blerë nga jashtë mallra në vlerën e 671 mijë euro. Kompanitë shqiptare importuese kanë shpenzuar kështu vetëm 69.3 miliardë lekë nga mbi 78 miliardë lekë që do të duhej të nxirrnin nga buxhetet e tyre një vit më parë.
“Do të duhet ndërhyrje nga qeveria. Edhe pse Bordi i Karburanteve nuk është shembulli më i mirë për t’u marrë, gjithsesi shërbeu si mjet kontrolli për të frenuar disi abuzimet. Kështu duhet vepruar edhe me importuesit”, shtoi Zaçaj.
Veç faktit që çmimet e importit nuk po ulen pavarësisht rënies së euros, shqiptarët po paguajnë më shumë edhe për ushqimet që konsumojnë pas prodhimi vendas po ikën thuajse i gjithi për eksport.