Veprimet e SPAK ndaj Arben Ahmetajt nuk mjaftojnë për Sali Berishën, i cili qëndrimin e shprehur në Parlament e detajoi më tej në konferencën e përjavshme për mediat. E gjithë qeveria – sipas tij – duhet të përballet me drejtësinë teksa e quan kabinetin si organizatë kriminale.
“Qeveria shqiptare është provuar organizatë kriminale, sepse në këtë aferë kanë firmat e tyre antiligjore kryeministri, Sekretari i Përgjithshëm, ministrat, drejtorët dhe punonjësit më poshtë. Në këtë kontekst, siç është e qartë dhe evidente, tashmë e konfirmuar edhe nga drejtësia, se kemi të bëjmë me një aferë të mirëfilltë korruptive, këtu janë firmat e qeveritarëve më të lartë, me në krye Edi Ramën”.
Afera e inceneratorëve nuk është vepër e disa individëve të pakoordinuar, pohon Berisha. Merr shembullin e firmosjes së 17 akteve brenda një dite, për të pohuar se i vetmi që mund të vinte në lëvizje të gjithë shtetit është Edi Rama.
“Pronari i vërtetë i ndërmarrjes, Edi Rama, shfrytëzon pushtetin e tij, dhe bashkë me Agaçin, firmos në kundërshtim flagrant me ligjin, procedurën antiligjore të negociatave të mbyllura. A mund të ishin Zoto, Mërtiri dhe Gugallja, pronarë të dy djegësve, Elbasanit, Fierit dhe më vonë të Tiranës në këtë mënyrë? Kurrën e kurrës. Duhej që ose qeveria të përbëhej nga njerëz që kanë humbur çdo fakultet mendor, dhe të tillë nuk janë. Duhet të ishin magjistarë, por ata magjistarë nuk janë. Kjo ndodhi sepse ndërmarrja ishte e Edi Ramës”.
Për të mbajtur gjallë kauzën e inceneratorëve Berisha njofton se shumë shpejt do të ketë protesta, por nuk ka një datë.
“Ne do u drejtohemi shqiptarëve për të kërkuar largimin e kësaj qeverie me protesta. Kjo është një aferë e tmerrshme. Nuk ka shoqëri që mund të tolerojë këtë aferë. Do ketë negociata me opozitën. Do bëhen negociata me forca të tjera opozitare”.
Inceneratorët treguan se kanë zbehur disi kundërshtitë brenda grupimeve në Partinë Demokratike, me Sali Berishën që u shfaq në parlament duke duartrokitur Gazment Bardhin.
“Gazment Bardhi e tha me qartësinë më të madhe dhe meritonte duartrokitjet e plota dhe i kam bërë me zemër”. Berisha ftoi edhe njëherë deputetët që janë kundër tij për të gjetur gjuhën e përbashkët që mund të çojë në bashkimin e partisë.