Partia Demokratike, përmes këshilltarit ligjor të grupit, Marash Logu, ka publikuar disa dokumente lidhur me inceneratorët.
Përmes një postimi në “Facebook”, Logu i ka bërë thirrje SPAK të marrë të pandehur dhe të hetojë Sekretarin e Përgjithshëm të Ramës, Ëngjëll Agaçi, pasi, sipas tij, është i përfshirë në aferën e inceneratorëve, duke shkelur ligjin, ndaj duhet të mbajë përgjegjësi.
“Ëngjëll Agaçi pra, do të duhej t’i kishte kthyer për shqyrtim projektvendimin Ministrisë së Mjedisit, duke qenë se nuk ishte në përputhje me ligjin. Duke mos vepruar kështu, ai ka shkelur ligjin dhe duhet të mbajë përgjegjësi.
Prandaj, sot me të drejtë qytetarët që kanë ndjekur seancën e djeshme të Komisionit Hetimor të Inceneratorëve, ku vetë drejtoresha e APP-së, Reida Kashta dëshmoi se për ne, procedura e ndjekur për dhënien e koncesionit të inceneratorit të Elbasanit nuk ekziston, pyesin:
PSE NUK MERRET I PANDEHUR SEKRETARI I PËRGJITHSHËM I EDI RAMËS, ËNGJËLL AGAÇI?! Sigurisht, as ne, as qytetarët dhe askush tjetër nuk është naiv. Ata e dinë fare mirë se kryefajtori i aferës 430 milionë euro të inceneratorëve është EDI RAMA, dhe se sekretari i tij është vetëm një vegël në duart e tij.
Por, të qënurit vegël e paligjshmërisë në duart e shefit nuk të përjashton nga përgjegjësia. Ndaj sot është rasti që SPAK të dëshmojë vendosmërinë në luftën kundër korrupsionit në nivelet e larta, duke marrë të pandehur Ëngjëll Agaçin.”