Në kufirin ndërmjet Kroacisë dhe Bosnje e Hercegovinës ka pasur të shtëna me armë zjarri nga një grup emigrantësh në drejtim të policisë kroate.
Të shtënat u raportuan nga forcat speciale kroate pasi penguan emigrantët që të hynin në Kroaci.
Nuk dihet nëse të shtënat janë bërë nga ndonjëri prej emigrantëve, kontrabandistëve apo dikush tjetër, raporton media kroate “Index”.
Informacioni i parë ishte se të shtënat janë shkrepur në drejtim të forcave speciale kroate, por policia e Karrllovacit pohon vetëm se forcat speciale i kanë dëgjuar të shtënat.
Gjithashtu, ata kanë njoftuar se asnjë nga oficerët e policisë kroate nuk është lënduar.
Për rastin ka reaguar edhe Ministri i Punëve të Brendshme të Kroacisë, Davor Bozhinoviç.
Ai ka thënë se është e vërtetë që policët që punonin për mbrojtjen e kufirit dëgjuan të shtëna që erdhën nga drejtimi i Bosnje e Hercegovinës.
“Është duke u zhvilluar një hetim penal dhe më e rëndësishmja është se askush nuk është lënduar apo plagosur”, tha Bozhinoviç, duke shtuar se “presioni në kufi është rritur”.
Ndërsa, në reagimin fillestar të policisë rajonale ët Karllovcit thuhej se “oficerët e policisë që punojnë për mbrojtjen e kufirit shtetëror dhe për të shtypur migrimin ilegal në zonën e komunës së Rakovicës në qytetin Koranski Lug, kanë dëgjuar disa të shtëna armësh nga territori i BeH-së”.
Kjo ka ardhur, bëjnë me dije ata, “pas ndalimit të një grupi migrantësh, që kishin për qëllim që të tentojnë të kalojnë ilegalisht kufirin shtetëror dhe të hyjnë në territorin e Republikës së Kroacisë”.
“Në vendin ku janë vendosur efektivët e policisë janë kryer masat dhe veprimet e ndërhyrjes së parë, përfshirë edhe veprimin dëshmues të hetimit, i cili për momentin nuk është mundur të konstatohet pa mëdyshje dinamika dhe rrethanat e ngjarjes”.
Po ashtu, për këtë rast është njoftuar edhe policia e Bosnje e Hercegovinës dhe sipas informacioneve të para ata nuk kanë pasur dijeni për një ngjarje të tillë.
Kjo nuk është hera e parë që oficerët e policisë kroate janë dëshmitarë të të shtënave në territorin e palës së BeH, duke qenë se bëhet fjalë për një zonë pyjore ku regjistrohen ngjarje dhe akte kriminale si gjuetia pa leje apo vjedhja e pyjeve.
Por së fundmi ata kanë vënë re edhe një nervozizëm tek kontrabandistët dhe emigrantët në anën tjetër të kufirit, pasi pamundësia e kalimit të paligjshëm të kufirit shtetëror sjell konflikte mes tyre.
Në vetëm tetë muaj të këtij viti, Departamenti i Policisë në Karlovac ka raportuar penalisht 284 kontrabandistë emigrantë.