Autoritetet irlandeze po hetojnë një incident serioz sigurie pasi katër dronë të mëdhenj dhe të pajisur me teknologji ushtarake shkelën zonën e ndaluar të fluturimit pranë Aeroportit të Dublinit, pak minuta pasi ishte ulur avioni i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Sipas raportimit të gazetës irlandeze The Journal, dronët – kuadkopterë të shtrenjtë me kapacitete të avancuara – u drejtuan pikërisht në korridorin ajror ku pritej të kalonte avioni presidencial rreth orës 23:00.
Zelensky mbërriti pak më herët se parashikuar, duke shmangur për pak kalimin në të njëjtën trajektore me mjetet ajrore të paidentifikuara.
Pasi humbën kontaktin me avionin, dronët filluan të qarkullonin mbi një mjet të Forcave Detare Irlandeze, LÉ William Butler Yeats, i dislokuar fshehtas në Detin Irlandez për vizitën e presidentit.
Dronët qëndruan brenda ujërave territoriale të Irlandës – brenda 12 miljeve detare – dhe mbetën në ajër deri në dy orë.
Marinarët i identifikuan vizualisht dronët në errësirë, ndërsa mjeti detar nuk kishte radar ajror apo pajisje kundër-dronësh për t’i neutralizuar.
Hetuesit mendojnë se dronët mund të jenë nisur nga verilindja e Dublinit, ndoshta zona e Howth, por nuk përjashtohet mundësia që ngritja e tyre të jetë bërë nga një anije e paidentifikuar në largësi.
Nuk ka ende gjurmë të operatorëve apo të vetë dronëve.




