Kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi, ka shpjeguar për mediat se incidenti me të shtëna me armë zjarri që ndodhi ditën e sotme pranë një qendre votimi në fshatin Komoran të Drenasit nuk ka lidhje me procesin zgjedhor.
Sipas Gashit, tre personat e dyshuar për përfshirje në këtë ngjarje kanë precedentë penalë dhe konflikti lidhet me një mosmarrëveshje të mëhershme, që daton rreth tre javë më parë.
Në një prononcim për gazetarët, Gashi sqaroi se personat e dyshuar, të cilët janë të njohur për vepra penale, përfshirë grabitje, nuk janë arrestuar ende, pasi janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Megjithatë, ai theksoi se Policia dhe Prokuroria janë duke punuar për identifikimin dhe arrestimin e tyre sa më shpejt të jetë e mundur.
“Është vërtetuar se incidenti nuk ka të bëjë me procesin zgjedhor, por me tre të dyshuar që kanë precedentë penalë. Arsyet e sakta të konfliktit nuk dihen ende në detaje, por sipas informatave të para, kjo lidhet me një mosmarrëveshje të mëhershme. Ajo që është më e rëndësishme është se ky rast nuk cenon në asnjë mënyrë integritetin e procesit zgjedhor,” u shpreh Gashi.
Ai shtoi se incidenti ka përfshirë një përplasje fizike ku janë përdorur shufra metalike, duke
“Është një gjuajtje me armë, mirëpo nuk kemi të vërtetuar ende në detaje nëse me armë është gjuajtur në drejtim të personave të përfshirë, mirëpo për momentin këto janë informacionet e para. Nuk ka persona të ndaluar; personat e përfshirë kanë ikur nga vendi i ngjarjes, mirëpo Policia dhe Prokuroria patjetër do t’i sjellin dhe do t’i arrestojnë sa më shpejt”, theksoi Gashi.
Gashi tha se nuk ka asnjë person të lënduar, por vetëm dëmtime të pronës.
“Të njëjtit fillimisht janë goditur me disa shufra metali, duke dëmtuar edhe veturën afër vendit të ngjarjes, dhe njëri prej personave të dyshuar ka gjuajtur nga brenda me armë. Megjithatë, nuk e dimë saktësisht nëse është qëlluar drejt personave të tjerë. Për momentin po marrim kamerat dhe incizimet që kemi, dhe do të dalim me detaje të tjera në takime të ardhshme”, tha më tej ai.