India ka nisur evakuimin e miliona njerëzve nga bregu i saj lindor, i cili pritet të goditet nga një stuhi e fuqishme.
Stuhia pritet të zbarkojë të mërkurën në shtetet Bengali Perëndimor dhe Orisa.
Mbi 20 ekipe shpëtimi tashmë janë shpërndarë në terren dhe disa të tjera janë në gjendje gatishmërie, thanë zyrtarët.
Stuhia vjen në kohën kur dhjetëra-mijëra njerëz kanë migruar nga qytetet e Indisë në fshatra, për shkak të masave të izolimit nga koronavirusi.
Bengali Perëndimor dhe Orisa janë në mesin e shteteve që po përballen me numër të madh të të kthyerve.
Zyrtarët shtetërorë atje po përpiqen të gjejnë strehimore për të evakuuarit.
Për shembull, në Orisa, 250 nga më shumë se 800 strehimore ekzistuese janë duke u përdorur si qendra karantine.
Sipas BBC-së, kjo do të jetë stuhia e parë e fuqishme që godet Gjirin e Bengalit që nga cikloni i vitit 1999 në brigjet e Orisës, i cili ka lënë mbi 9,000 njerëz të vdekur.