Përballë tarifave ndëshkuese nga SHBA dhe tensioneve me Kinën, India teston autonominë strategjike në një samit që mund të riformësojë balancat globale të ekonomisë…
Kryeministri indian Narendra Modi do të udhëtojë për herë të parë në Kinë pas një periudhe shtatëvjeçare heshtjeje dhe tensioni.
Vizita do të zhvillohet me rastin e Samitit të Shanghai Cooperation Organisation (SCO), që mbahet në Tianjin në fund të gushtit 2025.
Një forum ku pritet të marrin pjesë mbi 20 liderë botërorë, përshirë Presidentin rus Vladimir Putin dhe Presidentin kinez Xi Jinping.
Ky takim nuk është thjesht formalitet protokollar; është sinjal i qartë se India po përpiqet të rishikojë me kujdes vendin e saj në mozaikun global të fuqive të mesme.
Vizita e Modi-t vjen pak ditë pas vendimit drastik të Presidentit amerikan Donald Trump për të vendosur tarifa 50% ndaj importeve indiane, si ndëshkim ndaj blerjeve të naftës ruse. Ndërsa Perëndimi e sheh Indinë si aleate në kontrollin e ndikimit kinez, India e Modi-t po dërgon sinjale se nuk është e gatshme të bëhet mjet i luftës ekonomike amerikane.
Delhi nuk mund të injorojë as potencialin ekonomik kinez, e as rolin kyç të Pekinit në furnizimet industriale.
Zyrtarisht, Modi do të promovojë bashkëpunimin kundër terrorizmit dhe integrimin ekonomik rajonal. Por prapa kulisave, po rihapen kanalet diplomatike mes Delhit dhe Pekinit, të ngrira që prej përplasjeve të dhunshme në kufirin e Ladakh-ut në vitin 2020.
Një sinjal konkret është rifillimi i komunikimit ushtarak midis të dy vendeve, lëvizje që synon të parandalojë incidente të reja. Po ashtu, Kina ka rënë dakord të heqë kufizimet ndaj disa eksporteve strategjike, si mineralet e rralla dhe fertilizantët, të cilat India i ka të domosdoshme.
Dikur e quajtur si “klubi i autokratëve”, SCO po kthehet në një arenë të re ku vendet e Azisë Qendrore, Rusia, Kina dhe India diskutojnë balancimin e rendit global.
India nuk do të heqë dorë nga bashkëpunimi me Perëndimin (përmes Quad-it apo partneritetit strategjik me Francën e Japoninë), por po e artikulon qartë se politikëbërja e saj do të jetë shumëdimensionale.
Pavarësisht konflikteve kufitare, ndërlidhja ekonomike është e pashmangshme. Me vizitën e tij, Modi po dërgon një mesazh të qartë: India nuk ka as interes dhe as luks të izolohet nga Azia kontinentale. Në të kundërt, ajo po kërkon të luajë rol konstruktiv në dialogun global mes fuqive të reja.
Shfaqja e Modi-t në Tianjin nuk është as kthesë, as lëvizje e re ideologjike. Èshtë vazhdimësi e një politike të jashtme të kujdesshme, ku pavarësia vendimmarrëse është po aq e rëndësishme sa aleancat e vjetra. Dhe kjo është një mësim që do të duhej ta studiojnë edhe aktorët e Ballkanit.