Policia indiane ka arrestuar një burrë 21-vjeçar në lidhje me një aplikacion ku ishin shpërndarë fotografitë e më shumë se 100 grave myslimane e ku thuhej se ato janë në shitje.
Ai është student i inxhinierisë nga qyteti jugor indian, Bangalore, ndërsa identiteti i tij i tij nuk është publikuar, shkruan BBC.
Aplikacioni ishte shfaqur në platformën “GitHub”, e cila tashmë e ka larguar aplikacionin pas reagimeve të shumta.
Fotografitë e disa gazetareve e aktivisteve të njohura myslimane ishin përdorur në aplikacion pa lejen e tyre dhe gratë ishin vënë në shitje në një ankand të rremë.
Kjo është përpjekja e dytë për t’i sulmuar gratë myslimane duke i vendosur ato në ankande në internet. Në korrik të vitit të kaluar, një aplikacion dhe uebfaqe e quajtur “Sulli Deals” krijoi profile të më shumë se 89 grave myslimane, duke i përdorur fotografitë që ato i kishin vendosur në internet, duke i përshkruar “marrëveshje të ditës”.
Në asnjërin rast nuk kishte patur shitje të vërtetë, por qëllimi ishte që të degradohen gratë myslimane, shumë prej të cilave kanë qenë të zëshme rreth rritjes së nacionalizmit hindus gjatë pushtetit të Kryeministrit Narendra Modi.
Policia në të paktën tri rajone ka nisur hetime rreth aplikacionit “Bulli Bai”, duke u mbështetur në ankesat e dorëzuara nga gratë që ishin cak i këtij keqpërdorimi të fotografive.

