Një burrë nga rajoni jugor indian, Kerala, është shpallur fajtor për vrasjen e bashkëshortes së tij 25-vjeçare vitin e kaluar duke përdorur një gjarpër helmues të llojit kobra.
Të hënën, i akuzuari, i identifikuar vetëm si Sooraj, u shpall fajtor për vrasje nga një gjykatë e apelit në distriktin Kollam, shkruan Independent.
Burri dyshohet se kishte siguruar dy gjarpërinj përmes një personi që merrej me kapjen e tyre dhe ia kishte lëshuar bashkëshortes, të identifikuar vetëm me emrin Uthra, dy herë brenda disa muajve.
Në herën e parë, në mars të vitit 2020, Uthra kishte pësuar lëndime, pasi ishte kafshuar nga gjarpri në shtëpinë e burrit të saj në qytezën Adoor, që shtrihet në distriktin Pathanamthitta.
Më 7 maj, gruaja u gjet e vdekur në shtëpinë e saj në qytezën Anchal. Sipas raportimeve fillestare, shkaktar i vdekjes së saj ishte kafshimi nga gjarpëri.
Pas vdekjes, familja e gruas dorëzoi në polici një ankesë, duke dyshuar për veprime të qëllimshme. Sooraj më vonë u arrestua nën akuzën për vrasjen e bashkëshortes. Prindërit dhe motra e tij u akuzuan për dhunë në familje.
Pas arrestimit, i akuzuari në korrik u rrëfye rreth krimit dhe tha se i kishte dhënë bashkëshortes pilula për gjumë dhe kishte lëshuar një gjarpër për ta sulmuar atë.
I akuzuari e kishte planifikuar me përpikëri krimin dhe i kishte lëshuar të dy gjarpërinjtë për ta mbytur gruan, sipas policisë indiane.
Policia tha se beson që motivi i krimit ishin paratë. Ndonëse burri kishte marrë disa të holla dhe një sasi të arit në kohën kur ishte martuar, ai nuk ishte i kënaqur me sasinë.
Sipas një tradite indiane, familja e nuses duhet t’i japë dhurata ose para dhëndrit, kur çifti të martohet.