Indipendentistët katalanas bllokuan sot në dy krahët autostradën AP-7 që lidh Spanjën me Francën, në kufirin mes dy vendeve.
Bëhet fjalë për një protestë tjetër kundër dënimit në mes të muajit tetor të nëntë drejtuesve indipendentist katalanas, për shkak të rolit të tyre në përpjekjet për ndarjen e Katalonjës nga Spanja, në vitin 2017.
Kjo protestë u zhvillua pas zgjedhjeve legjislative spanjolle, shënuar nga një rënie e lehtë e socialistëve në pushtet dhe një rritje e ekstremit të djathtë, që ka vështirësuar akoma më shumë formimin e një qeverie.
Disa dhjetëra automjete kanë bllokuar qarkullimin në nivelin e kufirit. Rreth 300 persona kanë dalë nga automjetet për të formuar një barrikadë. Të tjerë kanë filluar të instalojnë një lloj skene të pajisur me altoparlantë dhe projektorë./ATSH/