Jeta në Francë rrezikon të paralizohet, ndërsa një sërë sindikatash kanë thirrur grevë kombëtare në transport. Synimi është të kapitalizohet zemërimi ndaj inflacionit rekord e për ta zgjeruar aksionin industrial që nisi në rafineritë e naftës dhe sektorë të tjerë. 1 në 2 trena rajonalë nuk janë në shërbim, e janë prekur po ashtu edhe shkollat.
Operatori publik francez i hekurudhave, SNCF tha se trafiku në lidhjet rajonale ishte reduktuar me 50 për qind, por se nuk kishte probleme të rëndësishme në ato kombëtare. Krerët e Sindikatave shpresuan që punonjësit do të motivoheshin nga vendimi i qeverisë për të detyruar disa prej tyre të kthehen në punë në rafineri, pas problemeve të mëdha në zinxhirët e furnizimit me naftë në veri dhe rajonin e Parisit. Vendimi u kritikua nga disa si shkelje e të drejtës për grevë.
Por një sondazh i kompanisë Elabe, tregoi se vetëm 39 për qind e publikut e mbështeste thirrjen e së martës për grevë, me 49 për qind që e kundërshtuan.
Greva e punonjësve të rafinerive po rezulton një prej sfidave më të mëdha të presidentit Emanuel Macron që prej rizgjedhjes në muajin maj.
Teksa tensionet në ekonominë e dytë më të madhe të Europë janë rritur, greva po përhapet në pjesë të tjera të sektorit të energjisë, përfshirë gjigandin bërthamor EDF, ku punimet e mirëmbajtjes do të shtyhen.
Grevat zhvillohen teksa qeveria pritet të miratojë buxhetin e vitit 2023, duke përdorur fuqi të veçanta kushtetuese që do ta lejonin të anashkalonte votimin në parlament.
Mijëra vetë dolën në rrugët e Parisit të dielën për të protestuar kundër rritjes së çmimeve. Lideri i së majtës ekstreme, Jean Luk Melensho, marshoi krah fitueses së çmimit Nobel për letërsinë Annie Ernaux.