Inspektorët e misionit të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore (AIEA) kanë lënë centralin bërthamor të Zaporizhzhia në Ukrainë, ndërkohë që prej tyre kanë mbetur vetëm 2 observatorë.
Lajmin e ka dhënë Vladimir Rogov, kreu i administratës pro-ruse në rajonin ku ndodhet centrali bërthamor më i madh në Europë, i dëmtuar nga shkëmbimet e shumta të zjarrit midis dy palëve në konflikt.
Ndërkohë, nga Kievi vijnë mesazhe disi dyshuese për misionin e AIEA. Edhe pse cilësohet si pozitive fakti që në centralin bërthamor tashmë ka përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar, Kievi mendon se inspektimi duhet të kishte qenë më i thelluar.
Këtë shqetësim e ka deklaruar edhe këshilltari i presidentit Zelensky, Mykhailo Podolyak, për të cilin inspektimi duhet të përfshinte një vlerësim inxhinierik të centralit, ndërkohë që nënvizon se Kievi nuk ka marrë asnjë informacion mbi gjendjen efektive të centralit të saj, sot në dorë të forcave ushtarake ruse që kanë pushtuar atë zonë.
Disa ditë më parë, Agjencia Bërthamore e Rusisë njoftoi se në centralin bërthamor të Zaporizhzhia në Ukrainë gjenden 5 inspektorë nga AIEA, mes të cilëve edhe një shqiptar.