Emigracioni, vështirësitë financiare si dhe ndryshimi i konceptit për familjen kanë bërë që në Shqipëri lindjet të bien ndjeshëm. Të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë se në 6-mujorin e parë të këtij viti, kanë lindur rreth 10 mijë foshnje, 10 % më pak se po e njëjta periudhë e vitit të shkuar.
Sipas sociologëve për familjet e reja vendimi për lindjen e një fëmije shihet si i vështirë.
“Kemi shumë raste ku të rinj nuk marrin iniciativën për të krijuar këtë marrëdhënie familjare sepse sot është shumë më e vështirë për të krijuar një familje. Shohim një mënyrë të re të rikonceptimit të familjes, ka shumë pak martesa, por ka një shtim shumë të madh të marrëdhënieve që janë në sfodin e bashkëjetesës, apo njerëz që duan ta njohin më gjatë njëri tjetrin dhe më pas të përfshihen në një marrëdhënie të caktuar.”
Në 3-mujorin e dytë të 2023-it, vetëm qarku i Vlorës shënoi rritje të numrit të lindjeve në krahasim me të njejtën periudhë vjet, ndërsa 11 qarqet e tjera pësuan ulje, rënien më madhe e ka qarku i Beratit me 19,2 %. Ndërkaq nga Janari deri në Qershor në Shqipëri pati vetëm 72 lindje më shumë sesa vdekje.
Një fenomen i tillë sipas sociologëve po ndikon drejtpërdrejtë në shoqëri.
“Ulja e lindjeve nuk ka të bëjë thjesht me procesin, ka të bëjë me mundësi më të pakta për punësim, do ketë shumë më pak të rinj që do arsimohen dhe do kontribuojnë për vendin, shumë më pak sigurime shoqërore. Impaktin nuk do e kenë sot as pas një viti, por pas shumë vitesh.”
Në 5 vite numri i lindjeve në Shqipëri ka rënë me gati 20%.
Nxitja e dëshirës për të mos u larguar nga vendi, ofrimi i vende të reja të punës si dhe favorizimi i familjeve të reja mund të jenë nxitëse sipas sociologëve për ndryshimin e këtij trendi./TV Klan