INSTAT në të dhënat më të fundit të publikuara këtë të premte bën me dije se gjatë pandemisë Cvoid 19 ka një rritje të ndjeshme të vdekshmërisë në vend.
Sipas raportit në vitin 2020 janë shënuar gjithsej 27,605 humbje jete, me një rritje të ndjeshme prej 25.8%. Në total, 5,668 persona më shumë ndërruan jetë në 2020-n, në krahasim me vitin e mëparshëm. Ky është niveli rekord i jetëve të humbura në vend, që prej vitit 1990.
Gjithashtu nga shifrat e publikuara nga INSTAT në krahasim me atë të Drejtorisë së Gjendjes Civile vihet re se shifra është rreth 300 persona më e ulët. Sipas Drejtoria e Gjendjes Civile, burimi i parë i të dhënave, vdekjet në 2020-n ishte rreth 28 mijë persona.
Në raport me mesataren pesëvjeçare 2015-2019, rritja e vdekshmërisë është e ngjashme, me rreth 21%. Situata me pandeminë ka qenë e rënduar në tremujorin e tretë dhe sidomos në atë të fundit. Sipas INSTAT, në tremujorin e tretë u regjistruan rreth 1600 vdekje më shumë (nga 1300 që ishte raportimi i mëparshëm) , me rritje prej 32% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në të katërtin, pasojat e pandemisë kanë qenë fatale. Gjithsej u regjistruan 9,397 vdekje, me një rritje prej 73%, ose gati 4 mijë jetë të humbura më shumë se tetor-dhjetor i vitit 2019.
Që prej vitit 2009, mesatarisht në vend, humbjet e jetës janë luhatur mes 21-22 mijë në vit, me kulmet që deri tani ishin arritur në vitin 2015 dhe 2017, që përkojnë me periudha gripale më të rënda. Tremujori i parë ka qenë tradicionalisht me më shumë humbje jete, teksa moti i ftohtë ul imunitetin kryesisht të të moshuarve.
Ndër të tjera vihet re se numri më i ulët i vdekjeve në 2020, është në qarkun e Kukësit, me 627 vdekje, ndërsa më i larti i vdekjeve në 2020, në qarkun Tiranë, 7129 vdekje. Por 2020-a ka sjellë një përmbysje të tendencave shumëvjeçare për shkak të ndikimit që ka dhënë pandemia në rritjen e vdekshmërisë në vend. Kjo ka ndodhur në të gjithë botën, ku krahasimet me mesataren e pesë viteve të fundit kanë treguar për një nivel të lartë të vdekjeve shtesë, që i është dedikuar pasojave fatale të shkaktuara nga Covid-19.
Qeveria është akuzuar më parë se ka manipuluar numrin e vdekjeve si pasojë e pandemisë për të fshehur dështimin e saj të plotë. Akuzat e opozitës dhe medias u hodhën poshtë me kërcënime nga Edi Rama, por burimet zyrtare të INSTAT e vënë propagandën e qeverisë në pozita kriminale.