Ndryshimet klimatike shpesh lidhen me ngrohjen e Tokës, por shtimi i lirimit të gazrave po shkakton dimra më të ftohtë në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë, sipas shkencëtarëve të Institutit të Massachusetts-it për Teknologji, institucion i njohur botëror për shkencë dhe arsim të lartë.
Ngrohja jonormale në polet e Tokës krijon energji të tepërt, e cila bën që masa polare e ajrit të dobësohet dhe të ndahet në vorbulla më të vogla, të cilat më pas lëvizin jashtë zonës së zakonshme arktike, sipas studimit të ri, të publikuar në revistën “Science”.
Ndarja e masës polare të ajrit mund t’i shtojë edhe efektet e papritura, edhe ato më të vonshme, ku përfshihen rënia e temperaturave dhe moti ekstrem dimëror në Shtetet e Bashkuar dhe në pjesët veriore e perëndimore të Evropës, shkruan Daily Mail.
Shkencëtarët besojnë se një masë e ndarë e shkaktoi acarin e shkurtit të këtij viti, i cili la të vdekur rreth 700 persona në Teksas, ndërsa mbi 3.5 milionë të tjerë mbetën pa energji elektrike.
“Pavarësisht ngrohjes së shpejtë, e cila është shenjë kryesore e ndryshimit klimatik global, sidomos në Arktik, Shtetet e Bashkuara dhe rajonet tjera të Hemisferës Veriore janë përballur me numër të konsiderueshëm dhe gjithnjë më të shpeshtë të episodeve të motit ekstremisht të ftohtë në katër dekadat e kaluara”, thanë autorët e studimit.
Ndryshimet në Arktik kanë gjasë që të jenë një shkaktar i rëndësishëm i zinxhirit të proceseve që i përfshijnë ato që quhen pengesa stratosferike polare të masave të ajrit, të cilat përfundimisht rezultojnë në periudha të acarit ekstrem në gjerësinë e mesme gjeografike veriore, zonë ku përfshihen 36 shtete në Amerikën Veriore, Evropë, Azi Lindore dhe Azi Qendrore.
Numri i rasteve kur masa polare e ajrit është penguar dhe është zgjatur në drejtim të jugut për një vit është rritur për më shumë se dyfish që nga vitet e tetëdhjeta, kur kishin filluar vëzhgimet satelitore.
“E dimë që kur dallimi i temperaturave rritet, kjo çon në më shumë pengesa të masës polare dhe kur ajo dobësohet, shkaktohet moti më ekstrem dimëror, si vala e të ftohtit në Teksas në shkurtin e kaluar”, tha Judah Cohen, ekspert i klimatologjisë në Institutin e Massachusetts-it për Teknologji.

