Një instruktor artesh marziale që ‘mundi’ dy policë që tentonin ta ndalonin të zhvillonte mësimin jashtë me fëmijët gjatë izolimit Covid, i ka shpëtuar burgut pasi gjykatësi vlerësoi pendesën e tij dhe lutjen për ndjesë.
37 vjeçari Daniel Carr, përdori aftësitë e tij të xhudos për të rrëzuar përtokë një prej oficerëve dhe për të goditur tjetrin në krah teksa tentonte të lëshonte ‘spraj djegës’, në shkurtin e vitit 2021.
Asokohe të dy oficerët po tentonin të arrestonin Carr pasi po jepte mësimin e tij falas të fizkulturës me fëmijë e të rinj në parkun publik Rochdale, në veri të Britanisë, për të ndihmuar “me shëndetin e tyre mendor” pasi ishin mbyllur në shtëpitë e tyre gjatë raundit të 4-rt të izolimeve.
Pas incidentit oficerët u dërguan në spital ku një prej tyre kishte pësuar një shpim në mushkëri nga rënia, ndërsa kishte enjtje në krah. Të dy ata janë rikuperuar tashmë.
Ndërsa Carr, kaloi dhjetë ditë në paraburgim pas arrestimit dhe përballej me deri në pesë vjet burgim për sulm fizik dhe pengim të punës së policisë.
Por rrjedhimisht ai mori vetëm një urdhër shërbimi në komunitet për 12-muaj dhe 100 orë punë të papaguar, pasi në fjalimin e tij para gjykatësit kërkoi ndjesë për plagosjen e oficerëve duke thënë se “vetëm po ndihmonte njerëzit që nuk përballonin dot efektet e rënda të izolimeve”.
Carr kishte organizuar grupet e mësimit të arteve marziale, por kufizimet që ishin në fuqi bënin që ato grumbullime të quheshin ilegale.
Oficeri MacGregor tha se eventi i organizuar nga Carr sa vinte e rritej në numër prandaj oficerët menduan ta ndalonim sipas politikës së kufizimeve.
“Kur arritëm në pikën ku oficeri PC Mehmood vendosi ta arrestonte, i akuzuari e rrëzoi dy herë në tokë. Më pas oficeri PC Zebb nxorri mjetin e sprajit djegës Parva, por u godit në kyçin e dorës nga i akuzuari. Oficeri PC Mehmood kishte plagë pak më të rënda por të dy u dërguan në spital”.
Në fjalimin e tij i akuzuari tha: “Veprimi që bëra ka dëmtuar qëllimin e mirë që kisha me ushtrimet falas në park. Mënyra sesi reagova atë ditë nuk më përfaqëson, por ishte instinktive ndaj një kërcënimi të perceptuar, ndoshta të influencuar nga gjendja ime mendore, nga indinjata, për të cilat më vjen turp dhe kërkoj ndjesë për dhimbjen që shkaktova”.
Gjykatësja Angela Nield tha se Carr kishte mbajtur një fjalim të shkëlqyer në mbrojtje të vetes, duke u shprehur në mënyrë “të kujdesshme dhe impresionuese”.