Disa ditë më parë u publikua videoja e vizitës së ministrit rus të Mbrojtjes në Ukrainë, e këtë britanikët e konsiderojnë se mund të jetë vizitë shumë domethënëse.
“Më 4 shkurt, ministri ruse e Mbrojtjes publikoi videon e vizitës së rrallë në Ukrainë të ministrit rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu”, shkruan ministria britanike e Mbrojtjes në raportin më të fundit për luftën në Ukrainë, transmeton Telegrafi.
“Ekziston një mundësi reale që kjo është bërë pjesërisht si kundërpërgjigje ndaj videos së fundit të kreut të grupit mercenar rus Wagner, Yevgeny Prigozhin, i cili vizitoi luftëtarët në vijën e parë të frontit”, shtuan britanikët.
Ata gjithashtu theksojnë se Wagner dhe ministria ruse e Mbrojtjes, përkatësisht ushtria e rregullt janë në konflikt, dhe se Shoigu me gjasë është i ndjeshëm kur e krahasojnë me Prigozhinin.
Është interesant se britanikët më tej thonë se i vetmi komandant rus nga terreni që u shfaq në video ishte gjeneral-lejtnant Rustam Muradov.
“Është domethënëse që Muradov është përgjegjës për Vuhledarin në rajonin e Donetskut, ku disa sulme kanë dështuar në tre muajt e fundit”, u tha ndër tjera nga inteligjenca britanike.
Sipas britanikëve, rusët duket se janë në dilemë.
“Së fundmi, komanda ruse ka të ngjarë të shihte një përparim në Vuhledar si një mënyrë kyçe për të arritur një përparim të rëndësishëm operacional në linjat ukrainase. Planifikuesit rusë ka të ngjarë të përballen me dilemën e përpjekjes për një sulm tjetër në Vuhledar ose mbështetjen e luftimeve intensive më në veri pranë Bakhmutit dhe Kreminës”, u tha ndër tjera në raport.