Interi thuhet se po përgatit një ofertë kontrate për Paulo Dybala me vlerë gjashtë milionë euro në sezon, që është më pak se sa fiton ai në Juventus.
Sulmuesi argjentinas do të largohet nga Torino në fund të kontratës së tij në qershor dhe sipas La Gazzetta dello Sport, Interi është favorit për të siguruar shërbimet e tij.
Bisedimet mes rrethit të lojtarit dhe klubit janë duke vazhduar, me Interin të gatshëm të ofrojë një kontratë gjashtë milionë euro në vit plus bonuse.
Dybala është në një marrëveshje prej shtatë milionë euro në vit në Torino, por oferta e Interit do të ishte në përputhje me pagat e lojtarëve të tyre më të mirë, si Nicolo Barella, Marcelo Brozovic dhe Lautaro Martinez, të cilët së fundmi kanë zgjatur kontratat me klubin.
Nerazzurrët nuk e kanë paraqitur ende ofertën e tyre sepse ata duhet të lirojnë librat e pagave së pari. Për këtë arsye, Arturo Vidal dhe Alexis Sanchez pritet të largohen nga klubi gjatë verës.
Interi është i vetëdijshëm për interesimin e klubeve të tjera evropiane për Dybala, edhe pse sulmuesi ende nuk ka marrë oferta konkrete. Agjenti i lojtarit do të mbajë të përditësuar drejtorin Beppe Marotta në lidhje me interesimin nga klubet e tjera dhe propozimet e tjera për ‘La Joya’.
Dybala, i cili dje vizitoi ish-bashkëlojtarin e tij Dani Alves në Barcelonë, do të luajë pesë ndeshjet e fundit në Torino para se të largohet nga klubi. Një nga pesë ndeshjet e fundit të karrierës së tij në Juventus është finalja e Kupës së Italisë kundër Interit më 11 maj.