Albania
INTERVISTA EKSKLUZIVE ME TURHAN PASHËN, MINISTRIN E PUNËVE TË JASHTME DHE PRESIDENTIN I KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË SHQIPËRISË
Nga Aurenc Bebja*, Francë – 23 Prill 2021
“La France” ka botuar, të mërkurën e 22 korrikut 1914, në ballinë, intervistën ekskluzive me Turhan Pashë, asokohe kryeministër dhe ministër i jashtëm i Shqipërisë, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Intervistë me Turkhan Pashën
Ministër i Punëve të Jashtme dhe President i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë

Për muaj me radhë Turkhan Pasha, ministri i jashtëm shqiptar, po vrapon nga kryeqyteti në kryeqytet për të përhapur fjalën e mirë në favor të Shqipërisë.
Askush nuk është më i kualifikuar se ai për këtë; Një diplomat i zgjuar, që ka një karrierë të gjatë pas tij, ai ishte dikur ambasador i Turqisë në Shën-Petersburg, ku la atje kujtimet më të mira. Turkhan Pasha ishte në pension kur shpërthyen ngjarjet në Ballkan. Sapo mbretëria u formua nga Fuqitë e Mëdha, ashtu si Esad Pasha, ai u vu në shërbim të vendit ku kishte lindur.
Princi e dërgoi shpejt në të gjithë Evropën për të mbrojtur kauzën më të vështirë dhe më mosmirënjohëse ndonjëherë: atë të një mbretërie të re që kishte vetëm armiq.
Diplomati i vjetër e ka bërë atë në mënyrë të admirueshme. Ne e pamë atë rradhazi në Vjenë, Berlin, Romë dhe Shën-Petersburg, duke mbështetur me fjalët e tij të përkushtuara mendimin lëkundës të kancelarive evropiane.
Turkhan Pasha gjendet tani në vendin tonë. Ai u largua nga banesa e vogël në rrugën Friedland, ku vinte dikur me gruan dhe princeshën e re, vajzën e tij. Ai ka vendosur, vetëm për disa ditë, bagazhet e tij në një hotel të qetë në bregun e djathtë dhe nga atje, pa zhurmë, pa zëra, ai përgatit veprën e madhe të organizimit të Shqipërisë.
Turkhan është rreth 70 vjeç. Nga qëndrimi i tij në ambasadat evropiane, ai ka mbajtur qëndrimet e tij të sjellshme dhe të dalluara të diplomatëve evropianë. Asgjë tek ai të shqiptarit malësor. Që në minutën e parë, ai më tha besimin e tij për Princ Vilhelmin :
“I mandatuar nga Evropa, ai ka vullnetin më të mirë dhe nuk i mungon guximi. Ai duhet dhe do të qëndrojë në postin e tij çfarëdo që të ndodhë. Atë e duan në Shqipëri, mund t’ua afirmoj këtë; në udhëtimin e tij të parë në vendet tani në revoltë, asnjë sovran, e afirmoj këtë, nuk ishte aq i përkëdhelur dhe aq i pritur mirë. Kush nuk ka armiq në tokë? më tha Turkhani. Do të më thoni se ka një kryengritje. Në fakt ka dy kryengritje. Së pari ajo e Shqipërisë së Poshtme i nxitur nga grekët. Por, meqenëse zgjidhja e kësaj çështje i është besuar Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, nuk ka pse të shqetësohemi. Komisioni është rezultat i vullnetit të Evropës dhe çështja sigurisht që do të zgjidhet në përputhje me vendimet e Londrës.
Kryengritja e dytë, ajo e Shqipërisë së Mesme, pa asnjë bazë, sigurisht që do të marrë fund, për shkak të mungesës së parave, për shkak të mungesës së qëllimit; udhëheqësit e pasur ose llafazanë (oratorë) që e nxitën atë do të përfundojnë duke u nënshtruar. Unë e kuptoj një mbretëri që kërkon përmirësime, një mbretëri që dëshiron të bëhet republikë, por në këtë mbretëri arkaike të Shqipërisë, si mund të flasim për transformime kur asgjë nuk ekziston!
Kur princi erdhi, ata e duartrokitën; fjalimi i një shefi shkatërroi punën e filluar, disa fjalë të mbretit i qetësuan. Fatkeqësisht ! vazhdoi Turkhan Pasha, neve na injorojnë këtu. Sidoqoftë, të gjithë duhet ta dinë se Shqipëria e vogël, krijim i Evropës, ka vetëm dy qëllime:
1° Rigjenerimi i vetvetes përmes punëve publike dhe tërheqja kështu rreth saj e përpjekjeve të industrialistëve dhe biznesmenëve të Evropës;
2° Jetesa në marrëdhënie të mira me fqinjët; kjo është në interesin e saj pasi që vetëm me qetësi do të jetë në gjendje të përparojë. Shqipëria, me princin dhe udhëheqësit e saj, është e përkushtuar të bëhet një element i paqes në Ballkan.
Por për të arritur këtë qëllim, ajo ka nevojë mbi të gjitha për huanë që i kishin premtuar, jo vetëm gojarisht, por me shkrim nga fuqitë nënshkruese të Traktatit të Londrës.
Janë premtuar shtatëdhjetë e pesë milion; dhjetë milion janë dhuruar (derdhur) nga Austria dhe Italia; ato janë marrë, sigurisht, por ende nuk janë shpenzuar. Por nevojat janë të mëdha. Shpresojmë ta marrim këtë hua, dhe se ajo është e garantuar, shumë serioze në një fjalë. Madje është një marrëveshje e mirë dhe nëse do të kisha para, më tha Turkhan Pasha, unë do të isha i pari që do të investoja.
Megjithëse e vogël, vazhdon Pashai, Shqipëria ka burime të mëdha: pyje, miniera, bujqësi, asgjë, deri më tani nuk është shfrytëzuar. Por na duhen rrugë, mjete komunikimi, të cilat, falë kësaj kredie, nuk do të mungojnë më.
Shqipërisë ka nevojë për kredi, më tha Turkhani duke qeshur. Si e prisni që brenda tre muajsh të kemi Champs-Elysées, një hotel Regina dhe një muze të Luvrit? Ne që jemi lënë jashtë Evropës për shekuj me radhë, si mund ta transformonim vendin për kaq pak javë?
Unë do të kthehem në Durrës për 16 ditë, vazhdon ai; Do të kaloj nëpër Vjenë; Unë tashmë kam caktuar përfaqësues shqiptarë në Beograd dhe Athinë, në mënyrë që të mbajmë marrëdhënie të mira me këto vende.
Sa i përket Turqisë, Shqipëria është në një farë mënyre vajza e saj shpirtërore, është logjike që ne të kemi marrëdhëniet më të mira me të. Perandoria Osmane drejtohet, në këtë kohë, nga njerëz të shquar; Simpatitë turke nuk kanë munguar kurrë në Shqipëri; tre të katërtat e popullsisë janë myslimanë, dhe Sulltani duke qenë edhe Kalif i të gjithë myslimanëve, ne duam ta mbajmë këtë mike besnike.
Sa për mobilizimin italian, nëse do të përgatitej një zbarkim në Shqipërinë e Jugut, nuk mendoj se do të ishte i suksesshëm. Siç ju thashë, Komisioni i Kontrollit është duke negociuar me z. Zographos dhe unë ende shpresoj që çështja epirote të zgjidhet pa probleme, në interesin më të mirë të shqiptarëve.
Ne do të ishim plotësisht të lumtur nëse Franca do të na njihte më mirë. Shumë nga udhëheqësit tanë, mjekët tanë, zyrtarët tanë kanë studiuar në Francë, në Montpellier, në Lyon. Të gjithë ju duan. Unë kam qenë me Esad Pashën në qeveri; idetë e tij kanë qenë të ndryshme nga të miat ndonjëherë; por në këtë pikë, unë pajtohem me këtë mik të vjetër: “Ne e duam Francën dhe do të donim që të gjithë këtu ta dinë këtë!””
Pierre Villatte
Albania
Dallgët rrezikojnë përplasjen e tragetit, rreth 1000 pasagjerë priten të udhëtojnë me këtë linjë drejt Italisë
Porti i Vlorës vijon të mbetet i ekspozuar ndaj motit të keq pasi kalata ku ankorohen tragetet sa here ka det me dallge rrezikon përplasjen e tragetit.
Sot trageti “European Star” ka arritur të hyjë në kalatë e portit me ndihmën e rimorkiatorëve.
Sipas njoftimit zyrtar, trageti pritet të niset drejt Italisë, ndërsa procesi i imbarkimit do të fillojë menjëherë. Rreth 1000 pasagjerë pritet të udhëtojnë me këtë linjë.
Ndërkohë, kompania bën me dije se gjatë ditës së nesërme do të njoftojë pasagjerët për çdo ndryshim të mundshëm të orarit të lundrimit, pasi parashikimet meteorologjike tregojnë për përkeqësim të mëtejshëm të kushteve të motit.
Albania
Merr fund epoka e qirave të lira, arsyet e shtrenjtimit
SHARE
Qiratë ishin grupi me rritjen më të lartë të çmimeve në muajin nëntor 2025, me 6.7 për qind duke forcuar më tej tendencën që nisi nga vera e këtij viti. Ato ishin përbërësi kryesor i inflacionit në nëntor, duke zhvendosur ushqimet.
Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë për një trend rritës të fortë gjatë vjeshtës 2025 që po vazhdon. Ekspertët e lidhin ecurinë ë e shtrenjtimit të qirave me një seri faktorësh që lidhen me kërkesën dhe ofertën.
Kryesorja lidhet me faktin se rritja e çmimeve të banesave ka bërë të papërballueshëm blerjen e një apartamenti të ri për shumicën e të punësuarve. Kur blerja e një shtëpie bëhet më e shtrenjtë, njerëzit detyrohen të qëndrojnë më gjatë me qira ose të kërkojnë shtëpi me qira në vend që të blejnë. Kjo rrit numrin e qiraxhinjve dhe për pasojë çmimet ngrihen. Edhe pronarët që kanë kredi të shtrenjta shpesh rrisin qiranë për të mbuluar pagesat e tyre mujore.
Gjithashtu kërkesa për qira po përballet me një presion në rritje për vizitorët e huaj. Shqipëria është atraktive për turistët edhe për shkak se çmimet e qirave ditore janë të lira, me vetëm 50 euro nata në zonën e qendrës. Dhënia me qira ditore e shumë apartamenteve për turistët ka çuar në rritjen e çmimeve për qiratë afatgjata jashtë trendëve normale.
Ekspertët e tregut pohojnë se një pjesë e apartamenteve të shituara janë bosh dhe përdoren vetëm pak ditë në vit nga emigrantët dhe huajt, duke bërë që të mos hidhen në tregun e qirave.
Familjet me buxhete të kufizuara po e shtyjnë blerjen e shtëpisë dhe detyrohen të paguajnë qira gjithnjë e më të larta, ndërsa agjentët imobiliarë pohojnë se edhe në zonat periferike janë të pakta apartamentet me çmime të lira.
Agjentët e tregut të qirasë nënvizojnë se shumë pak prona listohen me çmime 300–350 euro, kryesisht në periferitë “Astir” ose “Fresku”, të cilat merren menjëherë nga qiramarrësit.
Në segmentin e qirave rezidenciale, sivjet çmimet për apartamente 1+1 në Tiranë kanë arritur deri në 900 euro në muaj në zonat më të kërkuara të qytetit. Të dhënat nga agjencitë e pasurive të patundshme tregojnë se tregu i qiradhënies po shënon rritje të vazhdueshme, me çmime që janë rritur mesatarisht 6 deri në 57% në vetëm një vit.
Në Tiranë, zona më e shtrenjtë për qiratë e apartamenteve vijon të mbetet pranë stadiumit “Air Albania”. Për banesa 2+1, çmimi mesatar arriti në 1,800 euro në muaj. Krahasuar me vjet çmimet u rritën me 13%.
Në zonën e ish-Bllokut, çmimi për apartamente 1+1 në shtator të këtij viti arriti 650 euro në muaj. Krahasuar me vjet, çmimet e qirasë janë rritur me 16%. Për apartamentet 2+1, çmimi i qirasë ka arritur 900 euro apo 6% më shumë se 2024.
Në Rrugën e Elbasanit, çmimi i qirave për apartamentet 1+1 është 700 euro në muaj në 2025 apo rreth 8% më shumë se vjet. Rritje të ndjeshme në këtë zonë kanë shënuar qiratë për prona 2+1.
Qiratë për apartamentet 1+1 në zonën e Komunës së Parisit vazhdojnë të qëndrojnë në të njëjtat nivele si gjatë vitit 2024, mesatarisht rreth 650 euro në muaj. Për apartamentet 2+1, çmimet e qirave arritën 800 euro në muaj apo 14% më shumë se në vitin 2024.
Ndryshime çmimesh janë shënuar edhe për qiratë në zonën e Liqenit Artificial. Çmimet e qirave për apartamente 1+1 arritën në 900 euro në muaj. Krahasuar me vjet, çmimet u rritën 13%. Për apartamentet 2+1, çmimet arritën në 1,400 euro në muaj, nga 1,200 euro në muaj që ishin vjet. Krahasuar me vjet, çmimet janë shtrenjtuar 17%.
Në kontrast, turistët që marrin me qira për periudha afatshkurtra, mund të gjejnë shtëpi me qira në kryeqytet përmes platformave online edhe në 40-60 euro/ditë, shumë më lirë sesa në kryeqytete të njohura europiane, ku mesatarisht në ditë duhet të paguajnë më shumë se 100 euro.
Të dhënat e AirDNA, njësia analitike e platformës së qiradhënies Airbnb, bënë të ditur se në fund të 2024-s, në gjithë vendin kishte rreth 21 mijë njësi të listuara, nga të cilat rreth 3 mijë në Tiranë.
Inflacioni i përgjithshëm ka luajtur gjithashtu rol. Kostoja e materialeve të ndërtimit, taksat, shërbimet dhe mirëmbajtja e banesave është rritur, dhe pronarët e transferojnë këtë rritje tek qiramarrësit. Në disa qytete, situata rëndohet edhe nga përdorimi i shumë apartamenteve për qira afatshkurtër turistike, të cilat janë më fitimprurëse.
Edhe në vijim çmimet e qirave pritet të vijojnë rritjen për shkak të kërkesës së lartë, dhe mungesës së ofertës të përballueshme.
Nëse qeveria dhe bashkitë nuk ndërhyjnë duke promovuar ndërtim banesash me çmime të përballueshme dhe të aplikohen politika për banesa sociale barra për qiramarrësit nuk do të lehtësohet, përndryshe rritja do të jetë edhe me agresive lajmërojnë aktorët e tregut.
Monitor
Albania
Programi, “take-away” pa mbetje, bar-restorantet drejt enëve të ripërdorshme
Programi Kombëtar i Parandalimit të Krijimit të Mbetjeve parashikon një paketë masash që synojnë uljen e mbetjeve në disa sektorë kyç të ekonomisë, nga ushqimi te ndërtimi, me afate të ndryshme zbatimi.
Mes tyre, sektori i hotelerisë, restoranteve dhe kateringut (HoReCa) shihet si një nga fushat me potencial të lartë për të reduktuar ndjeshëm mbetjet që gjenerohen çdo ditë.
Fokusi vihet te ushqimet dhe pijet “take-away” (me vete), ku përmes dy masave të veçanta parashikohet futja e enëve të ripërdorshme si alternativë ndaj ambalazheve njëpërdorimshe.
Masa e parë, ajo me numër 38, e titulluar “Vendosja e detyrimit për rimbushje për sektorin e ushqimit që ambalazhohet me vete (take-away)”, vendos rregulla të detyrueshme për operatorët e HoReCa-s. Sipas saj, shitësit me pakicë që ofrojnë pije të nxehta apo të ftohta dhe/ose ushqime të gatshme për t’u marrë me vete, do të duhet të krijojnë sisteme që u lejojnë klientëve të sjellin enët e tyre për rimbushje.
Në këto raste, produktet duhet të shiten me të njëjtin çmim dhe në kushte po aq të favorshme sa ato të ofruara në ambalazhe njëpërdorimshe. Po ashtu, operatorët do të jenë të detyruar të informojnë qartë konsumatorët në pikat e shitjes, përmes njoftimeve të dukshme dhe lehtësisht të lexueshme, mbi këtë mundësi.
Ndërkohë, masa e dytë, ajo nr. 39, e parashikon këtë praktikë si opsionale. E titulluar “Vendosja e opsionit për ofrimin e ripërdorimit në sektorin e ushqimit që ambalazhohet me vete (take-away)”, ajo u kërkon operatorëve të HoReCa-s t’u ofrojnë klientëve mundësinë e zgjedhjes së produkteve të ambalazhuara në enë të ripërdorshme, përmes një sistemi të dedikuar ripërdorimi.
Edhe në këtë rast, shitësit do të duhet të afishojnë njoftime të qarta për të informuar konsumatorët mbi disponueshmërinë e këtij opsioni. Për më tepër, programi përcakton që të paktën 10% e produkteve të shiten në formate ambalazhi të ripërdorshme, ndërsa çmimi dhe kushtet e shitjes të jenë të njëjta me ato të ambalazheve njëpërdorimshe.
Plani i qeverisë parashikon që aktet nënligjore që do të detajojnë këto masa të miratohen gradualisht përgjatë disa viteve, ndërsa dy masat që lidhen me enët e ripërdorshme për ushqimet dhe pijet “take-away” pritet të hyjnë në fuqi në vitin 2027.
Monitor
-
Albania3 days ago“Wizz Air” le në mëshirë të fatit pasagjerët e linjës Londër-Tiranë
-
UK5 days agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania5 days agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania1 week agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
UK3 days agoVizitorët, tarifë për të hyrë në Britani – Shtetasit që udhëtojnë pa viza duhet të aplikojnë për autorizim
-
UK1 week agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Sports5 days agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK4 days agoBllokohet hekurudha Angli-BE/ Probleme me energjinë elektrike, pezullohen udhëtimet për mijëra pasagjerë
