ALB UK News

Menu
  • Home
  • Albania
  • Kosova
  • UK
  • Kina
  • Diaspora
  • Bota
  • Maqedonia
  • Sports
  • Show – Biz
    • Kulture
    • Technologji
    • Opinion
    • Shendetesi
    • Shqiperia
    • Popular
  • ALBUK.TV
  • Kontakto
    • Live TV & Studio Kontakt
    • Termat dhe Kushtet
    • Terms and Condition
  TRENDING
Gjendet e pajetë një studente nga Kosova në Tetovë, reagon ambasada  6 hours ago
A mundet Moska që ta ndihmojë Maduron e Venezuelës? 6 hours ago
Zjarr në shtëpinë e të moshuarve në Bosnje, 11 të vdekur dhe mbi 30 të lënduar  6 hours ago
Përplasi trumën e njerëzve me makinë në Francë, mes të plagosurve zyrtare e partisë së Le Pen, autori dyshohet se ishte… 6 hours ago
Erdogani quan “budallëk” progresraportin e BE-së për Turqinë: Nuk kemi synime për territore 6 hours ago
Next
Prev
Home Albania

Investigimi i medias europiane: Brukseli mbyll sytë ndërsa narkoshteti shqiptar kërcënon Europën

albnews by albnews
6 November, 2025
in Albania, Bota
0
Investigimi i medias europiane: Brukseli mbyll sytë ndërsa narkoshteti shqiptar kërcënon Europën
  • Facebook
  • Share on X
  • LinkedIn
  • WhatsApp
  • Email
  • Copy Link

Antoine Harari/ Follow the Money

Ishte një natë e ftohtë tetori në qytetin mesdhetar të Fierit, në jugperëndim të Shqipërisë, kur policia ndaloi një Audi A8 të zi.

RelatedPosts

A mundet Moska që ta ndihmojë Maduron e Venezuelës?

Përplasi trumën e njerëzve me makinë në Francë, mes të plagosurve zyrtare e partisë së Le Pen, autori dyshohet se ishte…

Erdogani quan “budallëk” progresraportin e BE-së për Turqinë: Nuk kemi synime për territore

Prej javësh, oficerët kishin ndjekur trafikantë të dyshuar droge që përdornin makinën. Atë natë të tetorit 2013, inspektori i policisë Dritan Zagani urdhëroi ekipin e tij ta sillte automjetin në komisariat. Por sapo mbërritën atje, Zagani kuptoi se nuk do të ishte aq e thjeshtë t’i kapte për kontrabandë droge – eprori i tij ua ndaloi oficerëve kontrollin e makinës.

Problemi? Makina, sipas raportimeve, i përkiste njërit prej njerëzve më të fuqishëm të vendit, ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Saimir Tahiri.

“Ajo që kisha frikë më shumë ka ndodhur. Vendi im është kthyer në një narco-shtet.”

Në vend që të godisnin krimin e mundshëm, prokurorët iu vërsulën Zaganit: e akuzuan se kishte tejkaluar kompetencat.

Tani, më shumë se 10 vjet më vonë, nga një vend i sigurt dhe me identitet të ri, Zagani shpjegon se si, gjatë dekadave në policinë shqiptare, pa se si krimi i organizuar u ndërthur gjithnjë e më shumë me shtetin. I veshur me rroba të errëta e të thjeshta, me një kapele të ulur mbi ballë, ish-polici flet me shpejtësi.

“Ajo që kisha frikë më shumë ka ndodhur,” – i tha Zagani gazetës Follow the Money, ndërsa pinte kafenë në një oborr të qetë në Zvicër, më herët këtë vit. – “Vendi im është kthyer në një narco-shtet.”

Sipas Zaganit, përshkrirja e mafies shqiptare brenda shtetit është kryesisht përgjegjësi e kryeministrit aktual, Edi Rama.

Rama i siguroi Partisë Socialiste një mandat të katërt të paprecedentë në zgjedhjet kombëtare të këtij viti – zgjedhje që, sipas vëzhguesve, janë njollosur nga parregullsitë.

Pjesë e fushatës së Ramës ishte përpjekja për t’u paraqitur si një politikan pro-BE dhe mbrojtës i sundimit të ligjit. Në dukje, ai ka qenë një mbështetës i fortë i luftës kundër korrupsionit dhe drogës. Në shtator, qeveria madje krijoi edhe një ministër për Inteligjencën Artificiale, për ta bërë Shqipërinë “një vend ku tenderët publikë janë 100 për qind të lirë nga korrupsioni.”

Por në realitet, një hetim i Follow the Money në bashkëpunim me median partnere BLAST tregon se si grupet e krimit të organizuar kanë lulëzuar gjatë dhjetëvjeçarit të sundimit të Ramës – me pasoja katastrofike për pjesën tjetër të Evropës.

Evropa ka parë një rritje të ndjeshme të sasisë së drogës që qarkullohet nga mafia shqiptare vitet e fundit, ndërsa autoritetet kanë kapur operacione rekord të kontrabandës.

Në këto vite, mafia shqiptare ka zgjeruar rrjetet e saj jashtë vendit, ndërkohë që Rama ka bërë pak për të frenuar ndikimin e organizatave kriminale, sipas intervistave me prokurorë, policë dhe ekspertë.

Dokumente konfidenciale, të siguruara nga Follow the Money, mbështesin këto pretendime.

Kjo ka sjellë probleme të mëdha për Italinë, ku bandat shqiptare të drogës po rriten në ndikim. Ndërkohë, ngre pyetje përse Brukseli vazhdon ta mbështesë kërkesën e Tiranës për anëtarësim në BE, pavarësisht akuzave ndaj Ramës dhe dështimit të vendit për të luftuar krimin e organizuar.

Zyra e kryeministrit i ka hedhur poshtë akuzat për korrupsion si sulme politike.

Infiltrimi i qeverisë

Ekonomia e Shqipërisë e bën vendin të cenueshëm ndaj grupeve të krimit të organizuar.

“Grupet kriminale kanë depërtuar në të gjitha sferat e shtetit,” thotë Zagani.

Rreth 20 për qind e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë, afërsisht 30 për qind e të rinjve janë të papunë, paga mesatare sillet rreth 600 euro në muaj, dhe vendi vazhdon të përballet me vështirësi në zhvillimin e turizmit.

Grupet e krimit të organizuar e shfrytëzojnë këtë situatë duke investuar para në pasuri të paluajtshme të lira për pastrim parash dhe duke përdorur kompani lokale si mbulesë.

“Mafia shqiptare po fiton terren në mënyrë të jashtëzakonshme,” thotë ai.

Por, sipas Zaganit, ndikimi i mafies shqiptare ka shkuar përtej kontrollit të bizneseve vendase – ajo ka vendosur njerëzit e vet kyç në qeveri dhe në sistemin gjyqësor.

Në përplasjen e Zaganit me ministrin e Brendshëm të asaj kohe, Saimir Tahiri, dhe rrjetin e tij të supozuar të trafikut të drogës, Rama u rreshtua në krah të Tahirit.

Vetëm në vitin 2019, dy vjet pasi një hetim i Guardia di Finanza-s italiane e implikoi drejtpërdrejt ministrin, ai u dënua me burgim.

Vetë Zagani u lirua nga burgu në pritje të gjyqit pas disa muajsh në paraburgim në Tiranë, në vitin 2015. Ai më pas u arratis në Zvicër, ku iu dha azil.

Nëse Zagani do të kthehej ndonjëherë në Shqipëri, me shumë gjasë do të përballej sërish me burg, pasi është dënuar në mungesë me shtatë vjet heqje lirie.

Por ky nuk është rasti i vetëm kur një bashkëpunëtor i afërt i Ramës duket se, të paktën fillimisht, është mbrojtur nga ndjekja penale.

Në fillim të vitit 2025, një tjetër ish-ministër i Brendshëm i vendit dhe ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, u përball me akuza për korrupsion.

Gjatë mandatit të tij si ministër, ai ishte gjithashtu drejtuesi politik i Partisë Socialiste për diasporën. Në këtë rol, ai ishte përgjegjës për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve jashtë vendit – por bashkëpunëtorët e tij u kapën në përgjime duke premtuar rreth 60 euro për çdo votë të diasporës në Britaninë e Madhe. Me 2.5 milionë shqiptarë që jetojnë jashtë, vendi ka pothuajse po aq njerëz jashtë kufijve sa brenda tyre.

Balla njihet mirë nga forcat e policisë evropiane: emri i tij doli gjatë një hetimi global për rrjetin e komunikimit SKY ECC. Ky operacion, i udhëhequr nga disa agjenci policore evropiane, kishte për qëllim të godiste telefonat satelitorë të enkriptuar që përdorëshin nga kriminelë në mbarë botën për të komunikuar.

Pasi autoritetet morën qasje në biseda, zbuluan se Balla ishte në kontakt me trafikantë droge, sipas një pjese të transkripteve të publikuara nga media lokale Lapsi.

Kryeministri i Shqipërisë e ka mbrojtur Ballën dhe e ka mbajtur në detyrë.

Manjola Hasa, zëdhënëse e qeverisë shqiptare, hodhi poshtë çdo akuzë se Rama ka ndërhyrë në mënyrë të padrejtë në mbrojtje të aleatëve të tij. “Kjo është një përzierje fyese dhe qesharake, sepse së pari, akuzat politike nuk janë fakte, dhe shpifjet … nuk mund të përdoren si bazë për të vazhduar baltosjen e njerëzve të pafajshëm duke shkelur dinjitetin e tyre,” tha ajo.

Megjithatë, akuzat për korrupsion nuk kanë kaluar pa u vënë re nga qytetarët: sipas indeksit të perceptimit të korrupsionit të Transparency International, vendi renditet aktualisht në vendin e 80-të nga 180 shtete, duke e bërë një nga vendet më të korruptuara të Europës.

Mbrojtja e bashkëpunëtorëve të Ramës

Në janar të vitit të kaluar, një deputet i opozitës akuzoi vëllain e kryeministrit, Olsi Ramën, se kishte marrë pjesë në ndërtimin e një laboratori kokaine.

Ndërsa kryeministri Rama doli publikisht në mbrojtje të vëllait të tij, të dhënat nga sistemi i menaxhimit të kufijve të vendit, të siguruara nga Follow the Money, tregojnë se Olsi Rama drejtonte një automjet që më pas u identifikua si pjesë e përdorur nga një grup mafioz lokal.

Në janar të këtij viti, SPAK, struktura shqiptare kundër korrupsionit, e shpalli vëllain e kryeministrit të pafajshëm, duke e pastruar nga çdo akuzë.

Ndërkohë, në shkurt 2024, ish-agjenti i FBI-së Charles McGonigal u dënua në Shtetet e Bashkuara për marrje ryshfeti prej 225 mijë USD nga një bashkëpunëtor i afërt i Edi Ramës, me qëllim — sipas dosjes — hetimin e rivalëve politikë të kryeministrit shqiptar.

Një qendër e lulëzuar e drogës në Europë

Ndërsa grupet kriminale shqiptare lulëzojnë brenda vendit, ato e kanë shtrirë rrjetin e tyre edhe në të gjithë Europën, thanë për FTM zyrtarë të forcave të rendit.

“Mafia shqiptare po fiton terren në mënyrë të jashtëzakonshme. Jo vetëm për nga volumi i drogës që trafikojnë apo numri i njerëzve të përfshirë – por për shkak të aftësisë së tyre për t’u federuar,” tha një përfaqësues i njësisë hetimore të Guardia di Finanza kundër krimit të organizuar në Brescia dhe Romë, e cila ka drejtuar disa hetime mbi trafikun e drogës me origjinë shqiptare. “Nga ajo që po shohim, ata janë të paktën po aq të fuqishëm sa mafiet italiane.”

Në Itali, për shembull, autoritetet kanë sekuestruar një numër gjithnjë e më të madh sasish të mëdha kanabisi dhe drogash të forta të lidhura me grupet kriminale shqiptare.

Në shtator të vitit të kaluar, operacioni Tornado në Brescia, në veri të Italisë, çoi në arrestimin e mbi 60 personave. Në hetimin që zgjati katër vjet, me pjesëmarrjen e më shumë se 400 policëve, u sekuestruan 300 kilogramë kokainë me vlerë mbi 60 milionë euro.

“Të gjithë bosët ishin shqiptarë. Ata e drejtonin gjithçka nga larg,” tha një polic italian i përfshirë në operacion.

Në krye të rrjetit qëndronte një grup i organizuar kriminal shqiptar, konfirmuan autoritetet italiane për Follow the Money.

Grupi pastronte paratë përmes faturave të rreme, duke përdorur një rrjet kompanish me vlerë rreth 375 milionë euro – të cilat qarkullonin fillimisht në Europën Lindore, më pas në Kinë, për t’u kthyer sërish në Shqipëri, shpjegoi polici.

Në mars të këtij viti, policia italiane arrestoi katër shqiptarë në Bolonjë, si pjesë e një operacioni ndërkombëtar antidrogë, duke i dyshuar për kontrabandë të kokainës, marijuanës dhe hashashit me vlerë rreth 5 milionë euro, nga Holanda drejt Italisë.

Autoritetet filluan të kuptonin përmasat e vërteta të mafies shqiptare në Europë gjatë hetimit të çështjes Sky ECC, në të cilën u përfshi edhe ish-ministri Balla.

“Zbuluam se ata ishin shumë aktivë. Kanë baza logjistike që shtrihen nga Shqipëria deri në Belgjikë, përmes Gjermanisë,” tha Nicolo Gratteri, prokuror italian i specializuar në luftën kundër krimit të organizuar.

Si rezultat i hetimit të gjerë që nisi në vitin 2021, një sërë procesesh gjyqësore dënuan mbi 1,000 persona, ndërsa u sekuestruan rreth 179 milionë euro.

Pak pasi nisën hetimet, anëtarë të mafies shqiptare vendosën një shpërblim prej 1 milionë eurosh për kokën e një gjyqtari hetues federal në Belgjikë.

“Sot këto grupe kontrollojnë portet e Antwerp dhe Rotterdam,” tha prokurori italian Nicolo Gratteri. “Ata mund të fusin me lehtësi disa qindra kilogramë drogë në një rrugë të vetme.”

Në Belgjikë, të gjithë plantacionet e kanabisit kontrollohen nga grupet e krimit të organizuar shqiptar. Në fund të prillit, për shembull, policia belge bastisi një plantacion kanabisi që raportohet se drejtohej nga një grup kriminal italo-shqiptar.

Këto nuk janë raste të izoluara, dhe shenjat e dominimit shqiptar po shtohen.

Në raportin e saj të vitit 2024, agjencia e Bashkimit Europian për zbatimin e ligjit, Europol, e përcakton mafian shqiptare si një nga pesë grupet kriminale më kërcënuese në Europë – si në trafikun e kokainës, ashtu edhe të kanabisit.

Në të njëjtën linjë, Fatjona Mejdini, drejtoreshë e South Eastern Europe Observatory pranë Global Initiative Against Transnational Organized Crime, paralajmëron për dominimin e mafies shqiptare.

“Ata janë një nga mafiet më kërcënuese në Europë,” tha ajo.

Sipas SPAK-ut, strukturës shqiptare kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, gjatë atij viti ishin aktive 16 grupe të veçanta kriminale shqiptare.

Ndërkohë, Agjencia Kombëtare e Krimeve e Mbretërisë së Bashkuar (NCA) vlerëson se grupet shqiptare kontrollojnë tashmë pjesën më të madhe të tregut britanik të kokainës – më të madhin në Europë.

Edhe Spanja, një nga pikat kryesore hyrëse për kokainën nga Amerika Latine, ka parë një rritje të ndjeshme të kapjeve: në nëntor 2024, në Algeciras u sekuestruan 13 tonë kokainë të lidhura me rrjete shqiptare – një rekord historik.

Në 2023, autoritetet spanjolle konfiskuan gjithsej 118 tonë kokainë, nga vetëm 37 tonë pesë vjet më parë.

Sipas Agjencisë Evropiane të Drogës, midis viteve 2012 dhe 2021, kapjet e kokainës në portet evropiane janë rritur me gati 400 për qind. Ndërsa raporti më i fundit i UNODC (Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin) deklaron se “furnizimi global me kokainë është në nivele rekord.”

Gjykata jo e pavarur
Zagani beson se qeveria ka ushtruar presion mbi sistemin gjyqësor për ta dënuar – dhe nuk është i vetmi që mendon se gjykatat nuk janë të pavarura.

Nën presidencën e Barack Obamës, agjencia amerikane e zhvillimit USAID shpenzoi rreth 27 milionë dollarë për të financuar një reformë që synonte ndarjen e politikës nga drejtësia.

Për këtë qëllim, në vitin 2016 u krijua një strukturë e re për të hetuar krimet më të rënda – Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Në teori, kjo duhej të ishte një njësi e pavarur nga qeveria dhe të vepronte në mënyrë të pavarur.

Por kjo lëvizje pati efekt të kundërt.

Edhe pse kjo strukturë u krijua për të luftuar korrupsionin, duket se në praktikë i ka dhënë kryeministrit mundësinë ta përdorë sistemin e drejtësisë si armë politike: prokurorët kalojnë në proces vlerësimi nga një komision njerëzish të zgjedhur nga parlamenti, ku shumica janë të afërt me Ramën dhe Partinë Socialiste.

“Vendi është i mbërthyer plotësisht nga korrupsioni dhe drejtohet nga Rama dhe rrethi i tij i ngushtë,” tha për Follow the Money ish-zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Arben Ahmetaj.

I ulur në një tarracë të vogël në një rrugicë të qetë diku në Zvicër, në fillim të këtij viti, Ahmetaj – i cili kishte qenë pjesë e qeverisë nga viti 2013 deri në 2022 – akuzoi Ramën se kishte eliminuar nga skena politike këdo që ai e shihte si kërcënim për pushtetin e vet.

“Sot, rivalët politikë të Ramës ndiqen penalisht nga drejtësia – madje edhe ata që guxojnë t’i kundërvihen brenda vetë partisë së tij,” tha ish-ministri i Financave, i veshur me një jelek ngjyrë ulliri dhe me një puro të hollë në dorë.

Ahmetaj u përjashtua nga qeveria në korrik 2022, pas një përplasjeje për pushtet me kryeministrin. Vetë ai më pas u akuzua për korrupsion – akuza që, sipas tij, ishin fabrikuar nga qeveria për t’i njollosur figurën. Deri më sot, qeveria nuk ka paraqitur asnjë provë konkrete, ndërsa Ahmetaj këmbëngul në pafajësinë e tij.

Ashtu si Zagani, edhe Ahmetaj kërkoi azil në Zvicër në vitin 2023, pasi mësoi se ndaj tij ishte lëshuar një urdhër arresti në Shqipëri. Në kërkesën e tij për azil – në Zvicër, ku bashkëshortja dhe vajza e tij kanë leje qëndrimi – ai pretendoi se drejtësia kishte frikësuar edhe miqtë dhe familjarët e tij, duke u ushtruar kontrolle në shtëpi dhe në zyra.

Burime nga policia italiane mbështesin pohimet për korrupsion dhe ankohen se sistemi shqiptar i drejtësisë është depërtuar nga krimi i organizuar.

“Sa herë që na duhet bashkëpunim, bëjmë verifikimet tona,” tha një zyrtar i lartë i policisë italiane që merret me krimin e organizuar, duke sqaruar se policia italiane nuk i beson gjithmonë homologëve shqiptarë për t’u dhënë informacion të saktë ose të plotë.

SPAK nuk iu përgjigj kërkesave për koment.

Policia italiane në Shqipëri

Forcat e policisë italiane kanë qenë të pranishme në Shqipëri që nga mesi i viteve ’90, me mision për të goditur krimin ndërkombëtar – por kjo nuk do të thotë se bashkëpunimi mes policisë italiane dhe asaj shqiptare ecën pa probleme, tha zyrtari italian.

Sipas tij, problemi kryesor qëndron tek pagat e ulëta të autoriteteve shqiptare, që i bëjnë ato të ndjeshme ndaj korrupsionit.

“Kur sheh një prokuror që supozohet të fitojë 800 euro në muaj duke ngarë një Maserati, e kupton menjëherë që ka një problem,” shtoi ai, pa dhënë më shumë detaje për arsye konfidencialiteti.

Manjola Hasa, zëdhënëse e Ramës, hodhi poshtë akuzat. “Kjo është një tjetër akuzë politike nga kundërshtarët e Edi Ramës, për të cilën nuk ka asnjë fakt,” tha ajo.

Një model fitimprurës biznesi
Një pjesë e suksesit të mafies shqiptare shpjegohet me modelin e saj të veçantë ekonomik: ajo eliminoi ndërmjetësit dhe nisi të vendoste operacionet e veta drejtpërdrejt në vendet prodhuese të drogës.

Matt Shea, dokumentarist britanik që ka hetuar gjerësisht tregtinë e kokainës shqiptare, ka intervistuar si drejtues të karteleve kolumbiane, ashtu edhe anëtarë të mafies shqiptare.

“Kur u takova me Clan del Golfo,” tha ai për një grup paramilitar që besohet të kontrollojë pjesën më të madhe të prodhimit të kokainës në Kolumbi, “ata më thanë se shqiptarët po u ofronin një pjesë më të madhe fitimi. Ndryshe nga ‘Ndrangheta’, që paguante çmimin standard për kilogram, shqiptarët propozuan ndarjen 50 me 50.”

Me zgjerimin e ndikimit të shqiptarëve në Amerikën Latine, rruga e kokainës drejt Europës u bë edhe më e fortë.

Sipas Europol, trafikanti i njohur Dritan Gjika dërgoi tonelata kokainë drejt Shqipërisë dhe disa porteve evropiane. Për këtë qëllim, sipas mediave hetimore ekuadoriane Plan V, ai përdorte kompaninë e eksportit të bananeve Agricomtrade, përmes së cilës fshihte kokainën në ngarkesat drejt Europës.

Bastisje të koordinuara në Ekuador dhe Spanjë çuan në sekuestrimin e mbi 3 tonë drogë dhe pasurive financiare me vlerë 48 milionë euro.

Në shkurt të vitit të kaluar, policia bastisi shtëpinë e Gjikës në qytetin port Guayaquil, ndërsa ai ndodhet në arrati që prej asaj kohe.

Por Gjika nuk është i vetmi që përdor këtë skemë.

Autori francez Stéphane Quere, që ka shkruar një libër mbi origjinën e krimit të organizuar shqiptar, tha se kontejnerët e bananeve – që shpesh vijnë nga Ekuadori, një eksportues kryesor i frutit – janë një nga vendet e preferuara për fshehjen e drogës. Arsyeja: inspektimi i tyre është i vështirë, sepse nëse bananet prishen gjatë kontrollit, autoritetet portuale duhet të mbulojnë kostot.

Megjithatë, shifrat flasin vetë, shtoi Quere.

“Ka mbi 40 kompani që importojnë banane në Shqipëri,” tha ai me ironi. “Duhet t’i duan shumë bananet.”

Të patrembur
Ndërkohë që policia dhe prokurorët paralajmërojnë për rritjen e ndikimit të mafies shqiptare në Europë, vetë kontinenti duket se mbyll sytë përballë kësaj realiteti. Zërat kritikë ndaj Edi Ramës mbeten të rrallë.

Të martën, Komisioni Europian publikoi vlerësimin e tij për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, duke deklaruar në një njoftim për shtyp se vendi kishte bërë “progres të paprecedentë” që nga viti i kaluar – megjithëse në raportin e plotë pranohej se “korrupsioni vazhdon të jetë i përhapur në sektorët vulnerabël.”

Një nga përkrahëset më të forta të Ramës ka qenë Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

“I dashur Edi… Shqipëria është në rrugën e duhur drejt Bashkimit Europian. Të falënderoj për punën tënde, përkushtimin dhe miqësinë,” tha ajo gjatë një vizite në Tiranë në tetor 2024.

Ajo i referohej planeve të reformave që qeveria shqiptare ka ndërmarrë për forcimin e shtetit të së drejtës dhe përgatitjen për anëtarësim në BE. “Është perfekte,” shtoi ajo për planet e reformës.

Një pjesë e mbështetjes së vazhdueshme të von der Leyen shpjegohet me rëndësinë strategjike të Shqipërisë. Me kufi të përbashkët me Greqinë dhe një shtrirje të ngushtë përballë Adriatikut, vendi i vogël është ofruar të ndihmojë BE-në duke strehuar refugjatë ose rindërtuar një bazë ajrore për NATO-n.

Mesazhet e mbështetjes së saj janë thelbësore në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë, i cili filloi zyrtarisht në korrik 2022.

“I dashur Edi, Shqipëria është në rrugën e duhur për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Të falënderoj për punën tënde, përkushtimin dhe miqësinë,” përfundoi ajo fjalën e saj atë tetor.

Për ish-ministrin Arben Ahmetaj, kjo mbështetje e pandërprerë nga Europa mbetet e pashpjegueshme:

“Nuk e kuptoj pse Europa mbyll sytë përballë realitetit të situatës në Shqipëri,” tha ai.

albnews

albnews

Live ALBUK TV

Recent News

Gjendet e pajetë një studente nga Kosova në Tetovë, reagon ambasada 

Gjendet e pajetë një studente nga Kosova në Tetovë, reagon ambasada 

6 November, 2025
A mundet Moska që ta ndihmojë Maduron e Venezuelës?

A mundet Moska që ta ndihmojë Maduron e Venezuelës?

6 November, 2025
Zjarr në shtëpinë e të moshuarve në Bosnje, 11 të vdekur dhe mbi 30 të lënduar 

Zjarr në shtëpinë e të moshuarve në Bosnje, 11 të vdekur dhe mbi 30 të lënduar 

6 November, 2025
Përplasi trumën e njerëzve me makinë në Francë, mes të plagosurve zyrtare e partisë së Le Pen, autori dyshohet se ishte…

Përplasi trumën e njerëzve me makinë në Francë, mes të plagosurve zyrtare e partisë së Le Pen, autori dyshohet se ishte…

6 November, 2025
Copyright © 2025 ALB UK News | Powered by ALB UK News
This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT
No Result
View All Result