Në shkurt të vitit 2021, pak muaj para zgjedhjeve, Ministria e Mbrojtjes zhvilloi një tender sekret për blerje municionesh luftarake. Fitues i kontratës u shpall kompania Military System Supply Company. Në tetor të vitit të kaluar, Ministria e Mbrojtjes zhvilloi një tjetër tender sekret për blerje armatimi. Edhe këtë herë fituese e kontratës u shpall sërish kompania Military System Supply Company.
Në të dy tenderat vlerat e kontratës ishin sekrete. Por të dhënat nga pagesat e thesarit, tregojnë se deri më tani për të dy kontratat kompanisë i janë paguar rreth 18 milionë euro dhe pagesat vazhdojnë.
E themeluar në dhjetor të vitit 2009, MSSC është shndërruar aktualisht në kontraktorin më të madh privat të Ministrisë së Mbrojtjes. Kompania zotërohet nga një ortak i vetëm, që quhet Emiljano Dusha. Dhe zoti Dusha nuk është një emër i panjohur për kronikat.
Në vitin 2005, botuesi dhe gazetari Mero Baze e akuzoi Emiljano Dushën si një nga personat e përfshirë në sulmin fizik ndaj tij në Gjirokastër. Por nga 2005-a, kaluan shumë vite dhe emri i zotit Dusha do të dilte sërish në kronikat e lidhura me politikën.
Akuza për blerje votash
Në vitin 2021, pak ditë pas përfundimit të zgjedhjeve, Partia Demokratike kallëzoi në SPAK një grup prej 5 personash, që kryesohej nga Emiljano Dusha dhe Ardian Davidhi. Sipas kallëzimit, këta persona kishin krijuar në rrugën “Qemal Stafa”, Njësia administrative nr. 8 në Tiranë, në lokalin e quajtur “Lokali Nelit” një strukturë të mirëfilltë të blerjes së votës, shantazhit dhe kërcënimit, si dhe mbledhjes së kartave të identitetit.
Kallëzimi u bë pjesë dhe e kutisë së zezë që Partia Demokratike dërgoi pranë institucioneve ndërkombëtare për të denoncuar atë që ajo e quajti masakra zgjedhore. Në dosjen e kallëzimit, përvec numrave të telefonit dhe dëshmive të banorëve, Partia Demokratike kishte dorëzuar edhe foto nga rrjetet sociale të zotit Dusha, i cili e quante veten misionar të Partisë Socialiste.
Por hetimet e SPAK nuk çuan në asnjë rezultat. Një muaj më vonë, Belind Këlliçi akuzoi publikisht Prokurorinë e Posaçme se nuk veproi qëllimisht duke i lënë të lirë këta persona që të deformojnë vullnetin e zgjedhësve.
Kallaëzimi penal i Partisë Demokratikë vinte vetëm pak muaj pasi kompania MSSC e Dushës kishte siguruar një kontratë të majme rreth 10 milionë euro nga Ministria e Mbrojtjes. Ndërsa zoti Davidhi edhe ky me biznes në tregtinë e armëve, kishte marrë një tender me vlerë 4.5 milionë euro po nga Ministria e Mbrojtjes.
Tenderat e armëve
Prokurimet në fushën e mbrojtjes qeverisen nga konfidencialiteti. Vitet e fundit, buxheti i ushtrisë është rritur ndjeshëm dhe një pjesë e madhe e tij po shkon për blerje armatimi dhe modernizimin e forcave luftarake.
Por ushtria nuk është kontraktor i vetëm. Vitet e fundit janë shpenzuar miliona dollarë edhe në tenderat për veshjet apo armatimet e policisë dhe gardës. Të gjithë këta tendera përfundojnë në një grusht kompanish, që janë të lidhura me njëra tjetrën. Shpesh edhe në mënyrë korruptive, siç ishte rasti i tenderit të famshëm 25 milionë euro të Ministrisë së Brendshme për uniformat e policisë tek një kompani e quajtur D & E, që çoi në arrestimin e gjithë njësisë së prokurimit në MB.
Por ndërsa tregtarët e armëve po lulëzojnë dhe fitimet e tyre janë rritur në mënyrë eksponenciale, tashmë Shqipëria ka një shqetësim tjetër. Atë se kontratat sekrete të ushtrisë dhe policisë mund të financojnë blerjen e votave. Oligarkia.al