Të dhënat e Balkan Barometer 2024 dhe 2025 për investimet e bizneseve në kërkim dhe zhvillim (R&D) tregojnë se Shqipëria mbetet prapa vendeve më dinamike të Ballkanit, ndërsa pritshmëritë për investime inovative në tri vitet e ardhshme janë dobësuar krahasuar me disa ekonomi fqinje.
Në Shqipëri, viti 2025 karakterizohet nga një profil relativisht pesimist. Nga kampioni me 200 biznese të intervistuar, 53 biznese e konsiderojnë investimin në R&D si shumë të pamundur (23) ose të pamundur (30), një nivel më i lartë se mesatarja rajonale. Vetëm 33 shprehen optimiste (28 “e mundshme” dhe 5 “shumë e mundshme”), duke e vendosur Shqipërinë dukshëm pas Kosovës dhe Serbisë. Kjo tregon se, pavarësisht diskutimeve për inovacion dhe digjitalizim, një pjesë e madhe e bizneseve shqiptare nuk e sheh R&D-në si prioritet real në afatin e mesëm.
Krahasuar me vitin 2024, Shqipëria shfaq një zhvendosje strukturore të përgjigjeve, por jo domosdoshmërisht një përmirësim.
Në 2024, 63 biznese shqiptare deklaronin se investimi në R&D ishte “e mundshme” ose “disi e mundshme”, ndërsa 31 e konsideronin “e pamundur”. Në 2025, ndarja më e detajuar e kategorive tregon një rritje të peshës së përgjigjeve negative dhe një rënie të entuziazmit, sidomos te investimet “shumë e mundshme”, që mbeten në vetëm 5. Kjo sugjeron se pritshmëritë optimiste të 2024-s nuk janë konsoliduar në besim afatgjatë.
Në krahasim rajonal, Kosova shfaqet si ekonomia më optimiste për R&D në 2025, me 72 biznese që deklarojnë se është “e mundshme” ose “shumë e mundshme” të investojnë, një rritje e fortë krahasuar me 2024, kur vetëm 24 shpreheshin si “e mundshme”.
Edhe Serbia paraqet një përmirësim të dukshëm: nga një situatë shumë pesimiste në 2024, me 68 biznese që shprehen “e pamundur”, në 2025 arrin në 38 biznese me optimizëm (“e mundshme” dhe “shumë e mundshme”), duke kaluar Shqipërinë. Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi mbeten në nivele të ndërmjetme, por sërish me pritshmëri më të balancuara se Shqipëria. Ndërkohë, Bosnjë dhe Hercegovina mbetet më skeptike në rajon, me vetëm 17 biznese që e konsiderojnë “të mundshme” dhe 0% “shumë të mundshme” në 2025.
Në terma rajonalë, mesatarja e Ballkanit në 2025 tregon një ekuilibër më të madh mes skepticizmit dhe optimizmit, ndërsa Shqipëria pozicionohet më pranë grupit të vendeve me pritshmëri të ulëta për investime në inovacion.
Në kontrast me Kosovën dhe Serbinë, të cilat po sinjalizojnë një orientim më të fortë drejt produkteve dhe shërbimeve të reja, Shqipëria në 2025 shfaq një klimë më të kujdesshme dhe më pak ambicioze për R&D, duke reflektuar kufizime strukturore në financim, klimë biznesi dhe nxitje institucionale për inovacion./ Ekofin.al

