Investimeve të reja u jepet drita jeshile në Bordin e 4-të Operacional të WBIF, Kuadri i Investimeve për Ballkanin Perëndimor. Anëtarët e këtij Bordi dhanë një opinion pozitiv në Oslo, Norvegji, për investime të reja në transport, energji, mjedis, kapital njerëzor dhe mbështetjen e sektorit privat në Ballkanin Perëndimor, me vlerë 2.1 miliardë euro.
Për Shqipërinë u miratua mbështetja me grant investimi për projektin “Transporti i Gjelbërt në qytetin e Tiranës”, që synon të sigurojë një pjesë të konsiderueshme të kërkesës në rritje të kryeqytetit për lëvizshmëri, përmes një transporti publik të qëndrueshëm, të gjelbër, të sigurt, të rehatshëm dhe të aksesueshëm.
Granti, i cili do të jepet nga BE për këtë projekt, është në vlerën e 31.7 milionë Euro, e cila përbën rreth 30% të kostos totale të projektit prej 110.3 milionë Euro.
Krahas projekteve të investimit, u miratuan edhe 3 (tre) projekt-propozime për marrjen e asistencës teknike, që janë:
– Ndërtimi i një linje të re interkonjeksioni 400kV Shqipëri (Fier) – Greqi (Araktos), me një grant prej 1.1 milionë Euro
– Ndërtimi i centraleve eolike në det, me grant prej 2 milionë Euro
– Strategjia e Integruar Kombëtare e Ujit të Pijshëm dhe Planifikimi i Investimeve, me grant prej 1.2 milionë Euro.
Më shumë se 100 përfaqësues nga 27 shtete anëtare të BE-së, ishin të pranishëm në eventin e Oslos.
Plani Ekonomik dhe i Investimeve për Ballkanin Perëndimor synon të nxisë rimëkëmbjen afatgjatë, si dhe të nxisë bashkëpunimin rajonal dhe konvergjencën me BE-në. Ky planin do të mobilizojë 20 miliardë euro investime shtesë.
Ndërsa Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor (ËBIF) synon të rrisë bashkëpunimin për investimet në sektorët publikë dhe privatë për zhvillimin socio-ekonomik të rajonit, si dhe të kontribuojë për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor. Kjo kornizë investimesh është mekanizmi kryesor financiar për zbatimin e Planit ambicioz Ekonomik dhe të Investimeve të BE-së për prioritetet e politikave të Ballkanit Perëndimor dhe investimet e mëdha.