Kryeministri Edi Rama ka folur për projektin për investimet në ishullin e Sazanit.
Rama tha se është bërë një aplikim i cili do të shqyrtohet dhe nëse projekti i plotëson kushtet dhe përputhet me vizionin për këtë zonë, atëherë do të çohet para.
“Ne nuk zgjedhim persona, ne në bazë të legjislacionit shqiptar, i referohemi ofertave dhe propozimeve që na bëhen. Transforimi i Sazanit në një xhevahir të kurorës së artë të turizmit Mesdhetar, është ambicie e kahershme. Për hir të së vërtetës e kanë pasur ambicie dhe qeveri paraardhëse. Më parë ishte e paimagjinueshme që të afroheshin investitorë të fuqishëm. Ne jemi absolutisht që kemi një propozim. Propozimi nuk është ende në procesin e domosdoshëm ku duhet të kalojnë disa shkallë. Është bërë një aplikim në projektin AIDA. Nëse projekti përputhet me vizionin tonë dhe nëse projekti i plotëson kushtet dhe përputhet me vizionin për këtë zonë, atëherë do të çohet para”, tha ai.
Ai tha se ideja e këtij projekti kishte nisur para se të bëhej kryeministër. “Ju përflisni, pastaj flisni dhe pastaj vini dhe bëni pyetjet. A thua se çfarë ju përflisni, janë fakte. Unë flas për fakte. Ne sot kemi në tavolinë, një ofertë fantastike që do ta shqyrtojmë sipas ligjit. Si përfaqësuesit e denjët të popullit shqiptarë, që nuk negociojnë interesa personale, por të publikut. Publiku është pjesë e atij investimi.”, tha Rama.