Irani ka ekzekutuar tre burra, të cilët dyshohen se janë përfshirë në vrasjen e tre anëtarëve të forcave të sigurisë gjatë protestave antiqeveritare.
Saleh Mirhashemi, Majid Kazemi dhe Saeed Yaqoubiu u varën nga autoritetet. Ekzekutimet e tyre janë dënuar nga grupet e të drejtave të njeriut, si dhe nga BE në termat më të ashpër duke rrezikuar izolimin e mëtejshëm ndërkombëtar. Amnysty International ka deklaruar se tre personat, më herët ishin torturuar nga autoritetet.
Figura kulturore brenda dhe jashtë Iranit, si dhe anëtarët e familjes kërkuan nga autoritetet iraniane që të ndalin ekzekutimet me arsyetimin se nuk kishin arritur të siguronin prova përfundimtare se tre personat ishin përgjegjës për vdekjen e tre anëtarëve të forcave të sigurisë në 16 Nëntor të 2022.
SHBA si dhe Brukseli u bënë thirrje edhe një herë autoriteteve iraniane që t’i japin fund menjëherë praktikës së dënimeve me vdekje kundër protestuesve.
“Ekzekutimet e fundit do të kenë pasoja serioze” për Teheranin ose dhjetëra protestues të tjerë do të jenë në rrezik”, tha drejtori i grupit me bazë në Norvegji, Irani i të Drejtave të Njeriut.
Më shumë se 220 njerëz janë ekzekutuar këtë vit, në lidhje me lëvizjen protestuese që përfshiu Iranin në Shtator dhe dhjetëra të tjerë janë dënuar me vdekje ose janë dënuar për vepra të ndryshme penale. Të paktën 582 persona u ekzekutuan në Iran vitin e kaluar, numri më i lartë që nga viti 2015 dhe shumë mbi 333 të regjistruar në vitin 2021, thuhet në një raport.