Donald Trump është informuar nga inteligjenca amerikane për kërcënimet nga Irani për ta vrarë atë. Lajmi është bërë i ditur nga stafi elektoral i kandidatit republikan për president, citon BBC. Kandidati republikan presidencial u informua “në lidhje me kërcënimet reale dhe specifike nga Irani për ta vrarë atë në një përpjekje për të destabilizuar dhe mbjellë kaos në Shtetet e Bashkuara”, theksohet në deklaratën e publikuar nga media britanike.
Ai nuk dha detaje mbi pretendimet dhe nuk ishte e qartë nëse kërcënimet të cilave iu referua ishin të reja apo ishin raportuar më parë. Qeveria iraniane nuk iu përgjigj kërkesës për koment, por Teherani ka mohuar më parë pretendimet e SHBA për ndërhyrje në çështjet amerikane, citon BBC.
Nga ana e tij, Donald Trump ka thënë se Irani paraqet “kërcënime të mëdha” për jetën e tij dhe se ai është i rrethuar nga sigurimi pas dy tentativave të dukshme për ta vrarë, shkruan A2 CNN. “Kërcënime të mëdha për jetën time nga Irani”, shkroi Trump në platformën e tij “Truth Social”. “E gjithë ushtria amerikane po shikon dhe pret. Janë bërë tashmë lëvizje nga Irani që nuk funksionuan, por ata do të provojnë përsëri.”
Edhe pse është e paqartë nëse kërcënimet “reale dhe specifike” të cilave ai iu referua janë të reja apo ishin raportuar më parë, ai komentoi gjithashtu masat e tij të sigurisë. “Jam i rrethuar nga më shumë persona, dhe armë më shumë se sa kam parë ndonjëherë më parë”, shkroi Trump në një postim të ngjashëm në X.
Teherani ka hedhur poshtë më parë akuzat se qëndron pas atentatit më 13 korrik, kur një person i armatosur hapi zjarr në një tubim në Pensilvani, duke plagosur Trump dhe duke vrarë një person.