Irani të premten e prezantoi llojin e ri të dronit, për të cilin tha se ka rreze veprimi prej 2.000 kilometrash. Mediet shtetërore thanë se droni quhet “Gaza” për t’i nderuar përpjekjet e palestinezëve kundër Izraelit.
Irani ka program të gjerë për raketa dhe dronë, duke i cilësuar këto armë si forcë të rëndësishme parandaluese dhe hakmarrëse kundër Shteteve të Bashkuara dhe vendeve tjera armike në rast lufte.
Perëndimi i sheh raketat e Iranit edhe si kërcënim ushtarak për stabilitetin rajonal, edhe si mekanizëm i mundshëm për bartjen e armëve bërthamore, nëse Teherani i zhvillon ato. Irani mohon se është duke zhvilluar armë bërthamore.
Rojat Revolucionare të Iranit thanë se droni i ri mund të fluturojë 35 orë pa ndërprerë dhe mund të bartë 13 bomba e 500 kilogramë pajisje elektronike.
Komandanti i Rojave Revolucionare, Gjeneral Major Hossein Salami, tha se dronit të ri iu la emri “Gaza” në nderim të “atyre në atë tokë që qëndrojnë kundër pushtimit dhe agresionit të zionistëve (izraelitëve)”.
Ndonëse liderët e grupeve militante palestineze në Gaza shpesh e kanë vlerësuar lart përkrahjen ushtarake dhe financiare nga Irani, Teherani zakonisht nuk e konfirmon publikisht përkrahjen përmes furnizimit me armë.