ANGLI- Sekretarja e Brendshme britanike Suella Braverman mesa duket e paska kaluar urrejtjen që ka ndaj shqiptarëve dhe i ka ftuar këta të fundit për një çaj mali në zyrën e saj. Shkrimtarja shqiptare në Britaninë e Madhe, Lea Ypi me anë të një postimi në Twitter, shkruan se Braverman ka telefonuar disa anëtarë të diasporës shqiptare për të kërkuar ndjesë për fjalimet e saj fyese më parë.
Por ironia këtu është te fakti që i ka ftuar që të pinë një çaj mali, duke qenë se disa ditë më parë, një shqiptar është arrestuar në Angli pasi kishte çaj mali me vete. Ndërkohë që edhe pse shqiptari u tha efektivëve britanik se kishte çaj me vete, ata e morën atë për kanabis dhe e arrestuan, për ta lënë të lirë disa orë më vonë.
“Sapo mora një telefonatë nga Suella Braverman, e cila mesa duket po telefonon disa anëtarë të diasporës shqiptare për t’iu thënë se i vjen keq për vërejtjet e saj dhe gjithçka ka thënë. Ajo ka ftuar një delegacion për të pirë çaj mali në Home Office”, shkruan Ypi
Por kjo mund të jetë dhe një rreng nga ana e shkrimtares shqiptare për 1 prillin, pasi deri më tani nuk ka asnjë njoftim nga ana e autoriteteve britanike.