Kryetarit të LDK-së nuk i ka pëlqyer aspak që kolegia e partisë së tij nuk e udhëhoqi seancën e Kuvendit të Kosovës.
Isa Mustafa ka thënë se bojkotimi i seancës nga ana e Vjosa Osmanit paraqet ikje nga përgjegjësia dhe veprim të paprecedent.
Ai ka disa fjalë edhe për ish-kryeministrin Albin Kurti që nuk i dorëzoi detyrën Avdullah Hotit.
“Sot, Albin Kurti i iku përgjegjësisë t’ia dorëzojë detyrën kryeministrit Hoti. Deklarata e tij se nuk ia dorëzon detyrën njeriut qe e ka shkarkuar është e ulët dhe e pasaktë. Në fakt para se ta shkarkonte Hoti nga pozita e zëvendëskryeministrit të parë, Kurti e shkarkoi vetveten me votën e mbi 2/3 të deputetëve. Pamja e mëngjesit të sotëm e kryeministrit Hoti, në ceremoninë e nderit të njësisë së FSK-së, flet qartë se para tij nuk kishte kryeministër. Sepse çdo kryeministër me sjellje normale do t’ia dorëzonte detyrën pasardhësit të tij”, ka shkruar Mustafa në Facebook.
Postimi i plotë:
Bojkotimi i bashkërenditur i Vjosa Osmani, kryetare e Kuvendit dhe Albin Kurti, ish kryeministër, nuk iu bëri punë. E para iku nga përgjegjësia ta drejtojë seancën e Kuvendit, në të cilën bashkëpartiaku i saj i LDK-së do të votohej për Kryeministër, kurse partia e saj, LDK, ku akoma është nënkryetare, do ta drejtonte koalicionin qeverisës. Veprim i paprecedent dhe i papërgjegjshëm.
Sot, Albin Kurti i iku përgjegjësisë t’ia dorëzojë detyrën Kryeministrit Hoti. Deklarata e tij se nuk ia dorëzon detyrën njeriut qe e ka shkarkuar është e ulët dhe e pasaktë. Në fakt para se ta shkarkonte z. Hoti nga pozita e zëvendëskryeministrit të parë, Kurti e shkarkoi vetëveten me votën e mbi 2/3 të deputetëve.
Pamja e mëngjesit të sotëm e Kryeministrit Hoti, në ceremonin e nderit të njësisë së FSK-së, flet qartë se para tij nuk kishte Kryeministër. Sepse çdo kryeministër me sjellje normale do t’ia dorëzonte detyrën pasardhësit të tij. IM