Diplomati i karrierës, ish- ambasadori i Shqipërisë në Kosovë dhe në Maqedoni të Veriut, Arben Çejku në një intervistë për emisionin “Përballje”, me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu ka folur për situatën e tensionuar në veri të Kosovës, reagimin nga Tirana dhe marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Çejku tha se Shqipëria ka qenë dhe do të jetë gjithmonë afër për t’i ndjekur të gjitha sukseset e Kosovës si dhe situatën e fundit të krijuar në veriun e saj.
Ai tha se Tirana situatën e fundit në Kosovë e sheh nga katër këndvështrime, si ndjenjë kombëtare, si vend fqinj, nga këndvështrimi rajonal e perëndimor si dhe në aspektin e situatës së sigurisë.
“Në të gjithë këto vite Shqipëria është aty për të ndjekur hapat dhe sukseset e Kosovës, si një shtet i ri por, nga ana tjetër edhe këtë brengosje dhe këto lloj zhvillimi që nuk është pozitiv për Kosovën, siç janë ngjarjet e fundit në veriun e saj dhe natyrisht Shqipëria e shikon këtë nga disa këndvështrime, pikë së pari e sheh si nga ndjenja kombëtare që bashkohet në këto problematika, e dyta si vend fqinj me të cilin ne ndajmë shumë bashkëpunime të përbashkëta, e treta nga këndvështrimi rajonal, perëndimor”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë të përfshira në një proces të integrimit të përbashkët dhe në këtë drejtim Shqipëria do që ta ketë Kosovën dhe të udhëtojë me Kosovën në të njëjtin hap siç është me Maqedoninë e Veriut..
“…dhe e fundit nga këndvështrimi i sigurisë, Shqipëria si një vend anëtarë në NATO sigurisht që ndanë shqetësimin e vet për sigurinë e Kosovës, të cilat natyrisht herë pas here kanë konotacione të një droje për destabilizimin e kësaj pjese të Ballkanit dhe pse jo realizmin e disa agjendave të errëta të Rusisë në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Çejku.
Diplomati shqiptar tha se nëse Qeveria e Kosovës ka një listë të personave të identifikuar të agjentëve të infiltruar nga Serbia në territorin e Kosovës duhet ta bëjë publike.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të kërkoj nga faktori ndërkombëtarë që t’i bëj thirrje Serbisë që të tërhiqet nga veriu i vendit.
Gjatë intervistës ai potencoi se është e patolerueshme që në veri të futen banda kriminale nga Serbia, nën dirigjimin e shërbimeve sekrete të saj.
“Ka patur një thirrje të vazhdueshme të faktorit ndërkombëtarë drejtuar qeverisë Kurti për të bërë hap mbrapa dhe të ndihmuar në stabilizimin e kësaj situate duke marr vendimin adekuate për katër kryetarët e komunave të veriut. Por, ka ende mangësi dhe duhet një formë më e theksuar e faktorit ndërkombëtarë për t’i kërkuar Serbisë heqjen e menjëhershme dhe pa kushte të agjentëve të infiltruar në veriun e Kosovës siç është rasti i atij polici, i cili është nga Rudari. Kjo është një ndërhyrje e drejtpërdrejtë që duhet të marr dënimin e merituar pavarësisht ndonjë hapi të gabuar apo, të ndikuar të Qeverisë së Kosovës për të vendosur legjitimitetin në veri… Nga ana tjetër është e patolerueshme dhe e papranueshme banda kriminale e futur nga Serbia nën dirigjimin e shërbimeve sekrete të policisë së saj”, ka potencuar diplomati nga Shqipëria.
Sipas tij “nëse Qeveria e Kosovës ka një listë të këtyre personave të identifikuar si zyrtarë të sigurisë së Serbisë që kanë hyrë në territorin e Kosovës në veriun e saj dhe kanë bërë inkuzione duke sulmuar trupat e KFOR-it, duke sulmuar Policinë e Kosovës, qytetarë dhe gazetarë, mendoj që duhet ta bëj publike këtë listë dhe t’i kërkojë faktorit ndërkombëtarë që t’i thotë drejtpërdrejtë Serbisë që të tërhiqet dhe të ndalojë provokimet e saj në veri”, ka thënë Çejku.
Diplomati shqiptar në këtë intervistë ka folur edhe për reagimet nga kryeministri Edi Rama, reagimet nga Tirana si dhe çka mund të ndodh tutje pas takimeve ndërmjet palëve në Moldavi.