Ish-zyrtari i inteligjencës Egisto Ott del në gjyq në Vjenë të enjten, i akuzuar për spiunazh për Rusinë në atë që konsiderohet gjyqi më i madh i spiunazhit në Austri prej vitesh.
Egisto Ott, 63 vjeç, akuzohet se u ka dorëzuar informacione oficerëve të inteligjencës ruse dhe Jan Marsalek, drejtuesit të arratisur të firmës gjermane të pagesave Wirecard, e cila po falimentonte.
Ott i mohon akuzat.
Jan Marsalek, i cili është gjithashtu shtetas austriak, kërkohet nga policia gjermane për mashtrim të dyshuar dhe aktualisht besohet se ndodhet në Moskë, pasi është arratisur nëpërmjet Austrisë në vitin 2020.
Subjekt i një Njoftimi të Kuq të Interpolit, ai dyshohet të jetë një aset inteligjence për FSB-në, shërbimin sekret të sigurisë së Rusisë.
Skandali i spiunazhit ka ringjallur frikën se Austria mbetet një vatër e aktivitetit rus të spiunazhit dhe vëzhguesit gjithashtu do të ndjekin nga afër detajet që mund të dalin në dritë rreth Marsalek.
Prokurorët në Vjenë thonë se Egisto Ott “ka abuzuar me autoritetin e tij” si zyrtar i inteligjencës austriake duke mbledhur sasi të mëdha të dhënash personale, të tilla si vendndodhjet, numrat e regjistrimit të automjeteve ose lëvizjet e udhëtimit.
Ata thonë se ai e bëri këtë midis viteve 2015 dhe 2020 pa autorizim, shpesh duke përdorur bazat e të dhënave të policisë kombëtare dhe ndërkombëtare.
Prokurorët e akuzojnë atë gjithashtu për mbështetjen e “një shërbimi sekret të inteligjencës së Federatës Ruse në dëm të Republikës së Austrisë” duke mbledhur fakte sekrete dhe një sasi të madhe të dhënash personale nga bazat e të dhënave të policisë midis viteve 2017 dhe 2021.
Ata thonë se Egisto Ott ia dha këtë informacion Jan Marsalek dhe përfaqësuesve të panjohur të shërbimit të inteligjencës ruse, dhe mori pagesë në këmbim.
Në vitin 2022, thonë prokurorët, Jan Marsalek e porositi atë të merrte një laptop që përmbante pajisje sekrete sigurie elektronike të përdorura nga shtetet e BE-së për komunikim të sigurt elektronik. Laptopi, thonë ata, iu dorëzua shërbimit të inteligjencës ruse.
Raportet thonë se ai dyshohet gjithashtu se ka kaluar në Rusi të dhëna telefonike nga zyrtarë të lartë të ministrisë së brendshme austriake.
Gazeta Standard e Austrisë thotë se Egisto Ott me sa duket i ka marrë telefonat e punës pasi ata ranë aksidentalisht në lumin Danub gjatë një udhëtimi me varkë të Ministrisë së Brendshme.
Ai dyshohet se ka kopjuar përmbajtjen e tyre dhe ia ka kaluar Jan Marsalek dhe Moskës.
Egisto Ott akuzohet për shpërdorim të autoritetit dhe korrupsion dhe spiunazh kundër Austrisë dhe përballet me deri në pesë vjet burgim, nëse shpallet fajtor.
Kur u arrestua në vitin 2024, kancelari i atëhershëm i Austrisë, Karl Nehammer, e përshkroi rastin si “një kërcënim për demokracinë dhe sigurinë kombëtare të vendit tonë”.

Në një zhvillim të veçantë, prokurorët në qytetin austriak Wiener Neustadt i kanë thënë BBC-së se një ish-deputet, Thomas Schellenbacher, është akuzuar se ka ndihmuar Marsalek-un të arratiset pas falimentimit të kompanisë Wirecard në vitin 2020, kur doli se 1.9 miliardë euro mungonin nga llogaritë e saj.
Schellenbacher dyshohet se e ka ndihmuar Jan Marsalek të fluturojë për në Bjellorusi, nga Bad Vöslau në Austri, në qershor 2020.
Schellenbacher ishte deputete për Partinë e Lirisë të ekstremit të djathtë (FPÖ), e cila është akuzuar nga Partia e Gjelbër e Austrisë, tani në opozitë, se ka mundësuar spiunazhin rus, se ka vepruar si “një zgjatim i krahut të Rusisë” në Austri.
FPÖ dhe udhëheqësi i saj Herbert Kickl i kanë mohuar akuzat – dhe nuk janë përballur me ndonjë veprim ligjor në lidhje me asnjërën prej tyre.
Marsalek, i cili ishte Drejtori Operacional i Wirecard, është akuzuar që atëherë për mashtrim dhe përvetësim, i dyshuar për fryrje të bilancit total dhe vëllimit të shitjeve të kompanisë.
Ai besohet gjithashtu se ka qenë kontrolluesi i një grupi bullgarësh që u dënuan në Londër në vitin 2025 për spiunazh për Rusinë.
Mesazhet nga ai gjyq zbulojnë se Marsalek i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale plastike për të ndryshuar pamjen e tij, si dhe detaje të jetës së tij si i arratisur.
«Po shkoj për të fjetur. Bëra një tjetër ndërhyrje kirurgjikale kozmetike, duke u përpjekur të dukem ndryshe, dhe jam shumë i lodhur dhe më dhemb koka», i shkroi ai njërit prej bullgarëve, Roussev, në Telegram në shkurt 2022.
Në një tjetër, të datës 11 maj 2021, Roussev e përgëzoi Marsalekun për mësimin e rusishtes.
“Epo, po përpiqem të përmirësoj aftësitë e mia në disa fronte. Gjuhët janë një prej tyre”, u përgjigj austriaku.
“Në rolin tim të ri si i arratisur ndërkombëtar, duhet ta tejkaloj James Bondin.”

